Organizata Drejtësia Sot ka ndjekur me vëmendje procedurat e emërimit të kryeprokurorëve të njësive përkatëse prokuroriale në Kosovë, dhe së fundmi procesin e emërimit të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ajo përmes një reagimi ka rikujtuar detyrimin e KPK-së që të krijojë kushte të ligjshme për përzgjedhjen e njerëzve me kredibilitet në këto funksione me aq përgjegjësi.
Në vazhdim po e japim reagimin e plotë të Drejtësisë Sot.
Këshilli Prokurorial i Kosovës po e neglizhon tërësisht rëndësinë e miratimit të Rregullores për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për emërimin e kryeprokurorëve, gjë e cila ka dërguar tek një praktikë jo transparente e përzgjedhjes për këto funksione të larta në sistemin prokurorial të Kosovës. Duhet theksuar se proceset e zhvilluara në një mënyrë të tillë janë shumë të dëmshme për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe nuk i kontribuojnë aspak progresit drejt përmirësimit të tij.
Më saktësisht, ky reagim vjen si pasojë e dy çështjeve të ndërlidhura me procedurat e emërimit të kryeprokurorëve nga ana e KPK-së, të cilat janë krijuar si rezultat i vonesës së miratimit të kësaj rregulloreje. Çështja e parë lidhet me emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale (PSRK), ndërsa e dyta lidhet me emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Pas daljes në pension të kryeprokurorit të PSRK-së, z. Reshat Millaku, më 1 mars 2019, KPK-ja shpalli një thirrje të hapur për kryeprokurorin e ri të PSRK-së. Thirrja ishte e hapur deri më 15 mars 2019. Për shkak të shpërputhjeve që Rregullorja për emërimin e kryeprokurorëve kishte me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese në një rast analog (AGj 1092/17), KPK më 25 prill 2019 anuloi procesin e emërimit të kryeprokurorit të PSRK-së. Anëtarët e KPK-së u pajtuan që KPK-ja të hartojë një rregullore, e cila do të rregullonte emërimin e kryeprokurorëve dhe të gjithë prokurorëve. Rrjedhimisht, u vendos që derisa të miratohet Rregullorja e KPK-së, nuk duhet të zhvillohen procese emërimi të drejtuesve të njësive prokuroriale. Megjithatë, asnjë hap konkret nuk është marrë deri më sot, për të miratuar rregulloren. Mosmiratimi i kësaj Rregulloreje tashmë po prodhon pasoja.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Imer Beka pritet të dalë në pension më 15 qershor 2019 (sot është data 17 qershor - v.j) dhe rrjedhimisht është paraqitur nevoja për një proces tjetër të emërimit të një kryeprokurori.
Duke pasur parasysh se rregullorja ende nuk është miratuar, KPK-ja nuk mund të emërojë kryeprokurorin e ri të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Pavarësisht kësaj, në mbledhjen e 168-të të KPK-së, kryesuesi, z. (Bahri) Hyseni, e propozoi z. Kujtim Munishin për ushtrues të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe KPK e miratoi atë. Kjo do të thotë se derisa të miratohet rregullorja dhe të emërohet kryeprokurori i ri i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Munishi do të shërbejë si ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të kësaj prokurorie.
Për më tepër, emërimi i z. Munishi si ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është bërë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në Nenin 14 të Rregullores Nr.08/2016 për emërimin e kryeprokurorëve. Prandaj emërimi i tij konsiderohet i paligjshëm dhe është ndjekur me shumë rezerva lidhur me veprimet e tij të kaluara profesionale, afërsinë e tij me z. Aleksandër) Lumezi, kryeprokurorin e Shtetit, dhe faktin që i njëjti është propozuar nga z.Bahri Hyseni, kryesues i KPK-së, pavarësisht që kjo pozitë do të duhej kaluar tek prokurori Ibrahim Berisha. Mbi të gjitha, fakti që KPK-ja me vite nuk ka arritur të sigurojë që procedurat e emërimit në këto pozita të kryhen në kohë, ka shtuar pakënaqësinë lidhur me caktimin e z. Munishi si ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Vlen të përmendet që proceset e emërimit të kryera nga KPK-ja në përgjithësi janë objekt i kritikave nga organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe mediat. KPK-ja ka krijuar një praktikë shumë negative për vonimin e proceseve kur emërohen drejtuesit e njësive të prokurorisë. Për fat të keq, KPK po ndjek të njëjtën rrugë për procesin e emërimit të kryeprokurorit të PSRK-së. Për më tepër, vonesat në hartimin dhe miratimin e Rregullores kanë ndikuar në proceset e emërimit të kryeprokurorëve të tjerë të njësive të Prokurorisë, siç është theksuar më sipër. Duhet të theksohet se ushtruesit e detyrës së kryeprokurorëve emërohen pa asnjë proces përzgjedhjeje apo emërimi për këtë pozitë. Të njëjtit edhe pse marrin pozitën e ushtruesit të detyrës të kryeprokurorit dhe jo kryeprokurorit, përzgjedhja e tyre duhet arsyetuar me kritere objektive dhe transparente për publikun. Kjo ngase të dy këto pozita mbajnë rolin e njëjtë në institucion.
Në përfundim, Rregullorja për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për emërimin e kryeprokurorëve është me rëndësi vendimtare për procedurat e rekrutimit të KPK-së. Kjo Rregullore duhet të vendosë reputacionin e lartë profesional, integritetin personal dhe moral të kandidatëve si disa nga kriteret e veçanta. Ajo duhet të shërbejë si një pikë filtrimi për të gjithë kandidatët që synojnë të marrin pozita udhëheqëse në njësitë e Prokurorisë në Kosovë. Prandaj, ftojmë KPK-në që të bëjë hartimin dhe miratimin e Rregullores sa më shpejtë, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i rolit të KPK-së dhe prokurorit të Shtetit dhe të evitohen të tilla praktika, përfundon reagimi i organizatës Drejtësia Sot
Drejtësia Sot është një iniciativë/projekt që implementohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe përkrahet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.
Ky reagim është përgjegjësi ekskluzive e Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe ajo nuk pasqyron pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.