Arbëri

Detaje nga rrahja në Kuvendin zgjedhor të LDK-së në Matiçan të Prishtinës

Shtatë persona janë shoqëruar në Polici pas rrahjes që ka ndodhur të dielën në shkollën “Mitrush Kuteli” në Matiçan ku po mbahej Kuvendi zgjedhorë i nëndegës së tretë të LDK-së.

Sipas burimeve të Koha.net brenda Policisë, për pjesëmarrje në rrahje dhe përpjekje për prishje të rendit në stacion janë shoqëruar pesë persona, ndër këta është edhe organizatori i kuvendit, Sherif Vrajolli, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të nëndegës, si dhe kundërkandidati i tij, Remzi Gashi.

Personat e tjerë të shoqëruar në Polici janë Xheladin Krasniqi, Avdulla Krasniqi dhe Diamant Borovci.

Sipas deklaratës së personave të shoqëruar në stacion, përleshja ka filluar kur është bërë numërimi i votave të pjesëmarrësve në votim nga komisionarët e numërimit të votave Xheladin Krasniqi ( i caktuar nga Sherif Vrajolli, dhe komisionarit Visar Gashi i propozuar nga Remzi Gashi,i krahut tjetër).

Sipas burimeve, në ora 17:40 situata është qetësuar dhe janë larguar të gjithë pjesëmarrësit nga objekti shkollor, ku është mbajtur Kuvendi zgjedhor.

Sipas burimeve të Koha.net, ndihmë mjekësore kanë kërkuar Sherif Vrajolli, i cili e ka të lënduar dorën e djathtë, ndërkaq Xheladin Krasniqi, Avdullah Krasniqi dhe Remzi Gashi kanë marrë lëndime të lehta trupore.

Ndërkaq, ende nuk ka asnjë vendim në lidhje me personat e shoqëruar në Polici.

Në lidhje me rastin janë shoqëruar në stacion edhe dy persona që dyshohet të kenë qenë të përfshirë në rrahje, Behar dhe Visar Gashi, të cilët me urdhër të prokurores kujdestare janë kthyer në cilësinë e të dyshuarve dhe të gjithë me vendim mbi ndalim shkojnë në mbajtje

Më datën 16.06 2019 rreth orës 17:30 në shkollën “Mitrush Kuteli” në Matiçan ku ishte duke u mbajtur Kuvendi zgjedhor i nëndegës së tretë të LDK-së ka ndodhur një rrahje mes simpatizuesve të kësaj dege. Njësitë policore të cilat kanë qenë afër vendit ku ka qenë duke u mbajtur kuvendi kanë reaguar dhe e kanë qetësuar situatën.

Koha.net rikujton se përplasje të ngjashme gjatë mbajtjes së kuvendeve zgjedhor të kësaj partie kanë ndodhur edhe në Koshare të Ferizajt, në Mitrovicë, në Vranjevc (Prishtinë) dhe në Rahovec.

Lexoni edhe: Shpërthen dhunë me grushte e karrige në degën e “presidentit Ibrahim Rugova” në LDK