Arbëri

Shpërthen dhunë me grushte e karrige në degën e “presidentit Ibrahim Rugova” në LDK

Delegatët e Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie e njohur si dega e presidentit Ibrahim Rugova, janë përleshur ashpër sot ndërmjet vete.

Pas shpërthimit të rrahjes ndërmjet delegatëve të Kuvendit zgjedhor të LDK-së në Mat, e cila është pjesë e degës së tretë të kësaj partie, ka ndërhyrë edhe Policia e Kosovës. 

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar se në këtë rast janë arrestuar tre persona.

“Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje mes disa personave në një shkollë në Matiqan. Menjëherë njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të policisë në Prishtinë, kane intervenuar dhe kane shoqëruar në stacion policor tre persona. Me rastin po merren njësitet kompetente”, ka thënë ajo për Koha.net.

Dhuna në degët e kuvendeve zgjedhore të kësaj partie në Prishtinë është duke vazhduar tash e sa kohë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar një person, pasi që i njëjti përmes rrjeteve sociale Facebook, ka bërë kanosje ndaj simpatizueseve të një partie politike.

I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet.

KosovaPress ka shkruar gjatë ditës se bëhet fjalë për anëtarin e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mati, me inicialet B.G, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale ka kërcënuar anëtarët e grupit tjetër nga po kjo parti.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, anëtari i LDK-së, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, po mbahet në paraburgim prej 48 orëve.

Përndryshe, në degën e tretë, e cili njihet si degë e Ibrahim Rugovës, janë dy grupe, njëri i Arban Abrashit dhe tjetri i Hazir Borovcit.