Arbëri

LDK-ja kërkon shuarjen e delegacionit shtetëror e shkuarjen në zgjedhje

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj për jo-kushtetutshmërinë e projektligjit për dialogun, do të trajtojë edhe rolin e presidentit në dialogun me Serbinë

Siç raporton Koha Ditore, roli kryesor në udhëheqjen e negociatave i njihet Kuvendit dhe Qeverisë e jo edhe presidentit.

Për një gjë të tillë, presidenca nuk ka komentuar, e në PSD, partinë e cila ka për bashkëkryesues të ekipit negociator kryetarin e saj Shpend Ahmeti, kanë thënë se vetëm pasi të pranojnë vendimin, do të vendosin për hapat e mëtejmë.

As partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, nuk është përgjigjur në interesimin e televizionit për një koment.

Kryeministri Ramush Haradinaj, të premten në Interaktiv nuk ka ngurruar të flasë për vendimin e Kushtetueses, ku e ka konsideruar të panevojshëm ligjin, pasi sipas tij, kompetencat delegacioni i ka nga rezoluta e kuvendit.

E dy partitë që iu drejtuan gjykatës me pretendimet e tyre, LDK-ja e Vetëvendosje, kanë mirëpritur lajmin për projektligjin, por kanë kërkuar hapa konkretë.

Derisa Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, i ka thënë gazetës se qeveria e kuvendi duhet të përjashtojnë Thaçin nga dialogu, LDK-ja, ka kërkuar shuarjen e ekipit negociator dhe zgjedhje të reja.

Për më tepër, Driton Selmanaj nga kjo parti, vendimi i Kushtetueses për projektligjin, e bën qeverinë shkelëse të Kushtetutës.

“Pritjet tona janë që ky ekip të shuhet menjëherë, ky ligj të humbë kuptimin e vet, sepse është shpallur antikushtetues. Dhe kjo qeveri të mos vazhdojë negociatat me Serbinë, por të mendojë për një datë të zgjedhjeve që mund të jetë shumë shpejt, që të kemi një qeveri që do t’i dalë përpara këtij procesi”, ka thënë Selmanaj.

Për vendimin që pritet të publikohet nga Gjykata Kushtetueses, gazeta të premten raportoi se një prej pikave që është gjetur në kundërshtim me kushtetutën, kishte të bënte me kompetencat e ekipit negociator.

Delegimi i pushtetit te një grupacion që nuk mund të ushtrojë prerogativa ekzekutive, nga Kushtetuesja, sipas burimeve të gazetës, është konsideruar si cenues i parimit për ndarjen e pushteteve.

Dy partitë opozitare, LDK-ja e Vetëvendosje, pretendimet e tyre se projektligji për dialogun shkel 8 nene të Kushtetutës, i kishin dorëzuar në gjykatë në mes të muajit mars.