Arbëri

Pireva: Grupe joformale po mundohen ta prishin imazhin e LDK-së

Avdi Pireva kryetar i rizgjedhur në nëndegën 'Mati 1' në Prishtinë, duke folur rreth incidentit në zgjedhjet e këtij kuvendi ka thënë se, disa grupe joformale po mundohen ta prishin imazhin e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.

Ai ka thënë se kjo praktikë është bartur nga parti të tjera, pasi që sipas tij, më herët nuk kishte pasur raste të tilla.

“LDK ka hyrë në një proces zgjedhor e përgatitur dhe në përpjekje për të bërë një proces të rregullt, por fatkeqësisht disa grupe joformale, disa individë po mundohen ta prishin imazhin e zgjedhjeve në LDK. Kjo dukuri nuk ka qenë e shprehur tek ne, por është bartur edhe nga partitë tjera”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Dega e Tretë në Prishtinë, ka nëntë nëndegë, ndërkaq sot është mbajtur kuvendi i parafundit.

Ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se për mbajtjen e kuvendit zgjedhor të nëndegës 'Mati 1', i ka ftuar të gjithë delegatët me kohë.

Ai ka shtuar se paraprakisht kishte ftuar edhe policinë, duke u bazuar edhe në tensionet e mëhershme në disa nëndegë të partisë.

“Të gjithë delegatët kanë qenë të ftuar me kohë. Madje i kemi njoftuar edhe pas ndryshimit të datës. Edhe në Nëndegën e Tretë të Ibrahim Rugovës janë zgjuar të gjithë dhe po interferojnë. Sot kam ftuar Kuvendin, delegatët ishin të mjaftueshëm. Policinë e kam ftuar dje, duke pasur parasysh edhe këto kuvendet e kaluara. Kemi parë të gjithë që po ka fërkime, duke pasur parasysh edhe zgjedhjet në nëndegën e ‘Muhaxhirëve’, unë e kam ftuar edhe policinë”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera ka thënë se delegati Dukagjin Hyseni së bashku me gruan e tij Arta Krasniqi-Hyseni, kanë qenë të pranishëm në nëndegën “Muhaxhirët” duke votuar njërin nga kandidatët.

Ai thotë se ata të dy kanë thënë se nuk duan të jenë pjesë e nëndegës së Mati 1.

“Dukagjin Hyseni ka thënë se nuk është i interesuar të jetë pjesë e degës Mati 1, ai ka qenë aty bashkë me gruan e tij”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për Fatos Azemin, për të cilin ka thënë se nuk e ka pasur emrin në listën e delegatëve, dhe rrjedhimisht nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje.

“Partia ka disa rregulla dhe nuk mund të shkilen. Pika e parë e rregullores thotë se duhet të jesh anëtarë i LDK-së në atë lagje, të regjistrohesh 20 ditë para se të fillojë procesi zgjedhor, për të pasur mundësi që të marrë pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai. “Fatos Azemi nuk e ka pasur emrin në listën e delegatëve, dhe është shumë normale që nuk është lejuar që të futet në sallë”, ka shtuar më tej.

Ai ka treguar se i ka dërguar email Policisë, se do të mbahet një Kuvend, në këtë orë dhe këtë vend, duke parë mundësinë e rrezikut.

“Duke parë se si ka shkuar procesi në nëndegët tjera. Në plan të parë e kam pas jetët e njerëzve dhe pse të ndodhë një ekses në vendin që udhëheqë unë. Një orë përpara kanë ardhë, e kanë vendos veturën aty, më kanë thirrë në telefon. U kam thënë që po vijmë dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “janë të njëjtit njerëz që janë testues ta prishin rendin dhe qetësinë, imazhin e zgjedhjeve në LDK.

Pireva ka treguar se në zgjedhjet e kësaj nëndege, kanë marrë pjesë 38 delegatë.

“Një nëndegë e re siç jemi ne është normale të ketë kaq delegatë. Me rregullore, 31 anëtarë e bëjnë kuorumin e një Kuvendi”, ka thënë ai.