Al Jazeera: Kriza politike në Shqipëri, ende larg një kompromisi

Al Jazeera: Kriza politike në Shqipëri, ende larg një kompromisi

13 June 2019 14:54

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, paralajmëron “pasoja të pakontrollueshme” nëse zgjedhjet mbahen më 30 qershor.

Presidenti Ilir Meta zhvilloi një seri takimesh me udhëheqësit e partive politike, ditën e djeshme, në përpjekje për të zgjidhur krizën kushtetuese që, sipas tij, përbën “një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen në vend”.

Më 8 qershor, presidenti Meta shfuqizopi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore më 30 qershor, sepse vetëm Partia Socialiste në pushtet ka kandidatët e saj për kryetarë bashkie. “Ky proces zgjedhor është fiktiv,” u shpreh Meta, shkruan Al Jazeera, transmeton Koha Jonë.

Partitë e opozitës, të udhëhequr nga Partia Demokratike, kanë refuzuar të marrin pjesë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, dhe kërkojnë një qeveri tranzitore/kujdestare që të mbikëqyrë zgjedhjet e reja parlamentare.

“Mbajtja e zgjedhjeve në kontekstin e një situate të tensionuar politike mund të sjellë, jo vetëm mospjesëmarrjen e rreth gjysmës së votuesve në zgjedhje, por krijon rrezikun e një konflikti civil”, deklaroi Meta.

Opozita ka djegur mandatet e deputetëve që nga shkurti, dhe ka nisur protesta javore jashtë zyrës së kryeministrit dhe Parlamentit.

“Ne u bëmë vetëm një pjesë e një parlamenti që dukej i përsosur me qeverinë dhe opozitën, por që rezultoi një fasadë, sepse kjo opozitë nuk ishte në gjendje të ndalonte Parlamentin nga ndërmarrja e veprimeve të paligjshme”, tha kreu i Partisë Demokratike Lullzim Basha për Al Jazeera menjëherë pas largimit.

Qeveria “Rama” është tronditur nga një seri skandalesh që kanë çuar në dorëheqjen e dy ministrave të brendshëm për bashkëpunim të dyshuar me krimin e organizuar.

Basha tha se ministrat e qeverisë refuzuan të dëshmonin në komisionet parlamentare dypartiake, të cilët “refuzuan të dorëzonin provat për hetimet që ne nisëm për përfshirjen e disa ministrave në krimin e organizuar.

Akuzat u bënë edhe më të rënda më 5 qershor, kur tabloidi gjerman “Bild” publikoi biseda telefonike të regjistruara që pretendonin se bëhet fjalë për bandën e Astrit Avdylaj dhe zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste. Në regjistrim, zëri i identifikuar si Avdylaj këmbëngul që i emëruari i tij të përfshihet në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017, në këmbim të disa votave më shumë për partinë. Ky i emëruar u zgjodh deputet në Parlament.

Ndërmarrja sfiduese e Ramës

Rama është treguar sfidues. Pasi Presidenti Meta shfuqizoi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, ai paraqiti një rezolutë në Kuvend për shkarkimin e Presidentit.

“Tani për tani, Rama nuk do të kërkojë shkarkimin e presidentit,” tha një deputet i opozitës parlamentare, për Al Jazeera, i cili kërkoi të mos i përmendet emri. “Rama ka propozuar një projekt-rezolutë ku nuk përmendet askund shkarkimi i presidentit, por i bën thirrje presidentit të respektojë kushtetutën”.

Rama ka 75 deputetë në Parlament. Ndërsa, për shkarkimin e presidentit duhen 94 vota. Por ka një pengesë tjetër. “Për të shkarkuar presidentin, rezoluta e parlamentit duhet të aprovohet nga Gjykata Kushtetuese, por kjo s’mund të ndodhë sepse Gjykata Kushtetuese është vetëm me dy anëtarë”, shtoi deputeti i opozitës.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk funksionon prej 18 muajsh për shkak të hetimit, që kryhet në kuadër të Reformës në Drejtësi, mbi burimet e pasurisë së gjykatësve. Rama u zotua për pastrimin e gjyqësorit nga gjyqtarët e korruptuar në mandatin e tij të dytë. Bashkimi Evropian dhe SHBA e kanë mbështetur këtë reformë.

“Ishte e papritur që të shihnim se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do ta kalonin procesin e Vettingut, pasi u konstatua se nuk e justifikonin pasurinë e tyre. Gjithashtu, disa nuk kishin kualifikimin e duhur profesional dhe, për disa të tjerë doli se kishin lidhje me organizatat kriminele”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për Al Jazeera.

Rama kundërshton vendimin e Metës për të shtyrë zgjedhjet. Meta shprehet se caktimi i datës së zgjedhje është e drejtë kushtetuese e presidentit. Me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese, këto interpretime e kundërthënie nuk mund të zgjidhen.

Pasojat që vijnë më pas

Kriza politike dhe kushtetuese që ka përfshirë Shqipërinë mund të ndikojë në ekonominë e saj dhe shanset për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, të cilën shqiptarët mezi e presin.

“Mbajtja e zgjedhjeve më 30 qershor 2019, pa garë dhe pa pjesëmarrjen e opozitës – në kundërshtim me kriteret kyçe të Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të ngrijë përparimin e integrimit të vendit në BE dhe do të minojë çdo perspektivë për hapjen e negociatave të pranimit,” u shpreh presidenti Meta.

Por Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker shprehu një pikëpamje shumë të ndryshme më 11 qershor, kur ai takua me Ramën në Bruksel.

“Jam dakord që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor. Nëse zgjedhjet nuk zhvillohen, do të dëmtohej perspektiva evropiane e Shqipërisë,” tha Juncker.

Rama kërkon që bisedimet e anëtarësimit të vazhdojnë. “Unë mendoj se është koha që Evropa të bëjë atë që presim, të njohë meritat tona dhe të hapë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve të pranimit”, tha kryeministri.

Deputeti i opozitës parlamentare ka një pikëpamje krejt ndryshe: “Ne, kjo situatë na kujton zgjedhjet që regjimi komunist u përpoq të organizonte në vitin 1990, pak para se të shkërmoqej, kur do të votohej vetëm për Partinë e Punës.

Ekonomia gjithashtu mund të vuajë nga pasiguria politike dhe kërcënimi i asaj që Meta i quan “pasoja të pakontrollueshme”.

GDP-ja për frymë, në Shqipëri, llogaritet ndër më të ulëtat e vendeve të Evropës.

Përveç këtyre vështirësive, në publikun e gjerë ekziston perceptimi se partia në pushtet kujdeset për militantët e saj. Edhe pse Rama ka ndërmarrë një sërë investimesh publike për rrugë, spitale dhe rehabilitimin e qyteteve, shumë shqiptarë thonë se kjo nuk ka nxitur rimëkëmbjen ekonomike.

“Unë kam katër vëllezër dhe ata nuk kanë asnjë lloj mundësie të punojnë këtu, ndaj jetojnë në Greqi”, tregon Xhelil Koleci, veteriner, për Al Jazeera.

Vëllezërit kishin plan të ktheheshin në Shqipëri gjashtë vjet më parë, kur Rama erdhi në pushtet dhe investuan të gjitha kursimet e tyre për të ndërtuar shtëpi të reja, por tani i kanë lënë bosh. “Ata nuk kanë shpresë këtu. Madje, edhe unë po mendoj të largohem jashtë”, thotë Koleci. “Kam dy fëmijë që studiojnë në Gjermani dhe nuk mund t’u them, “Kthehuni dhe ndërtojeni jetën këtu”.

Duke qenë se opozita është jashtë parlamentit, është e vështirë të mendohet për një kompromis të mundshëm që do të rivendoste besimin publikut të gjerë te Parlamenti dhe zgjedhjet.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme