Arbëri

Hajdari: Presidenti i Shqipërisë ka konflikt interesi, gruaja e tij bashkëkryetare e opozitës

Descriptive Text

Tiranë, 13 qershor - -Presidenti i Republikë, Ilir Meta, ka konflikt interesi institucional, pasi gruaja e tij është Kryetare e Lëvizjes Socialiste Integrim, pra bashkë-kryetare e opozitës, duke e kthyer dhe kreun e vendit si palë politike.

Kështu u shpreh sot kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari gjatë seancës parlamentare që po zhvillohet sot, ku në rend të ditës është rezoluta mbi zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti i Republikës.

Në fjalën e saj, Hajdari nënvizoi se, Kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit e vlerëson vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Gjykimin mbi vendimin e Presidenti të Republikës së Shqipërisë e merr vetëm Gjykata Kushtetuese, duhet të jemi të qartë me shqiptarët. Sipas nenit 90’, pika 2, mocioni për shkarkimin e presidentit vjen me 1/4 e kuvendit, pra 35 deputet dhe firmoset e i depozitohet kryetarit të kuvendit, që ka për detyrë të hap një komision hetimor për të verifikuar argumentet që kanë çuar presidentin për të marrë këtë vendim”, tha Hajdari.

“Më pas Komisioni ka për detyrë të konstatojë, të dëgjojë presidentin dhe më pas të përpilojë një raport që diskutohet në parlament dhe që i depozitohet Gjykatës Kushtetuese dhe fakti që ne se kemi këtë gjykatë (Kushtetuese) është fatkeqësi e madhe, këtu është thelbi i gjithë debatit, prandaj shqiptarët po shohin këtë tragjedi që na merr zvarrë të gjithëve. E theksoi dhe njëherë se gjykata është organi i vetëm që konstaton këtë lloj shkelje”, theksoi Hajdari.

Ajo shtoi se, pavarësisht mungesës së Gjykatës Kushtetuese vendim i Presidentit ngre shumë pikëpyetje, pasi kreu i vendit ka një konflikt institucional me gruan e tij, bashkë-kryetare të opozitës.

“Janë tre pikë-pyetje, që do doja të dija unë nga presidenti, pse mendon se ai mund të zgjidh krizën me këtë vendim? Nëse ai e vlerëson këtë si akt patriotik, duke vënë palët para përgjegjësisë, nëse palët nuk ulen bashkë e nuk arrin në kompromis, a e fusim vendin në krizë totale? A e fusim vendin në më shumë pasiguri, çfarë duhet të ndodh, nëse ne nuk gjejmë dot një zgjidhje? Nëse gruaja juaj është palë e opozitës dhe kjo palë ka ngritur këtë padi, a e bënë presidentit ky vendim pjesë të këtij konflikti? A nuk është ky, konflikt i pastër institucional? Dua përgjigje për këtë gjë?”, tha Hajdari, duke kujtuar se Kryemadhi është bashkë kryetarja e opozitës.

“Unë si qytetare dhe si deputete ngre pikë pyetje ndaj presidentit, pse merr këto vendime? Pse zhdekreton presidenti dekretin e tij, këtë se kishim parë”, tha më tej Hajdari.

“Dua t’ju sjell në vëmendje një shembull, duhet të kuptojmë thelbin e aktit për hir të kombit. Nëse e argumentojmë në mënyrë juridike, dëgjo, kriminaliteti është rritur shumë në Shqipëri, është shumë problematike, unë mendoj se duhet ta rikthejmë vendimin e vdekjes. Ne nuk duam më Shqipërinë të shkoj në destabilitet, jemi lodhur me këtë gjendje. Jemi lodhur dhe çfarë mund të ndodhi, në më të mirën e rastit zgjedhjet do shtyhen vetëm me një muaj, muajin tjetër do keni zgjedhje… A ja vlejti barra qiranë, që opozita të digjte mandatet, a ja vlejti që ne të bllokonim reformën në drejtësi, a ja vlejti të mbyllnim dyert Europës, absolutisht jo”, theksoi Hajdari/ATSH.