Arbëri

Haradinaj: Mosarritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi rrezikon rajonin

Foto: Alban Bujari / Koha

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mosarritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë e rrezikon rajonin dhe është hapësirë e mrekullueshme që Rusia të shtrijë agjendën e vet në Ballkan.

Në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë “20 vjet liri: Një vizion për paqe të qëndrueshme”, Haradinaj ka thënë se Kosova e do përjetësisht NATO-n në vend, duke qenë vetë pjesë e saj.

“E pash titullin e konferencës ‘Vizioni për paqen e qëndrueshme’. Paqja është sfidë, paqen e bëjnë ata që kanë guxim. Dikush mund të thotë ata që kanë guxim kanë bë edhe luftën. Pa ata që e kanë bë luftën është vështirë me bë paqen. Ata që kanë bë luftën mund ta bëjnë paqen. Por në çka ta bazojmë e te vendosim themelin e paqes. Mirë është t’i dimë rreziqet e paqes. Institucionet e dobëta, në përgjithësi, e rrezikojnë paqen. Humbja e besimit në institucione nga qytetarët e rrezikon paqen. Institucionet e dobëta shkaktojnë mosbesim në sistem, vakuum, korrupsion, rrjedhje e humbje nga sistemi shoqëror. Armiqtë e paqes i shfrytëzojnë këtë. Edhe ata që janë nga vendi edhe ata nga larg. Sidomos është me rëndësi të konsolidohen institucionet e rendit dhe ligjit. Mund të them se Kosova vjen si vlerë e shtuar për paqen në rajon e botë me kujdesin e vet që i kushton institucioneve të rendit dhe sigurisë. Kemi shumë sfida në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, krimit internacional. Ishte e dhimbshme që nuk u kuptua drejtë nga Serbia e disa shtete kërkesa jonë për anëtarësim në Interpol. Ishte e mirë për krimin mospranimi jonë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se kërkon një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë, në kufijtë aktualë.

“Mos u habitni, Kosova kërkon NATO-n përjetësisht në Kosovë. E duam prezente përjetësisht. Pse? Sepse ne duam të jemi në NATO përjetësisht. E nëse jemi përjetësisht, e duam NATO-n përjetësisht këtu. E mendojmë si një lidhje të përjetshme. Çka e rrezikon sigurinë? Konfliktet e pambyllura ose temat e pambyllura, qofshin politike, qofshin tjera. Mosarritja e një marrëveshje për njohje mes Kosovës e Serbisë e rrezikon rajonin. Jo vetëm tash. Temat tjera të hapura janë mundësi e mrekullueshme për agjendën e Rusisë në Ballkan. Ajo s’e fsheh agjendën. Qëllimin e vet e ka të bëjë të dështojë Perëndimi. Interesi ynë është të bashkohemi për të arritur një marrëveshje për paqe me Serbinë, në kufijtë ekzistues, në respekt të ndërsjellë si popuj”, ka thënë ai më tej.