Në Javën e Çlirimit të Kosovës, në emisionin RUBIKON u diskutua për Historinë e Kosovës.
Historianët Jahja Drançolli, Muhamet Mala dhe Ibrahim Gashi folën për historinë e Kosovës, që nga antikiteti, mesjeta dhe koha e re.
Drançolli, duke folur për historinë e hershme të Kosovës, tha se në shekullin e 6 para erës sonë, Dardania shfaqet si formacion politik, ndonëse nuk dihet për kufirin e atëhershëm.
Por tha se dihet ku janë shtrirë dardanët, që përkon edhe me territorin e tashëm të Kosovës, e që mund të shkojë, në vija të trasha deri te Nishi, Novi Pazari, te Kukësi i sotëm dhe te Pollogu.
“Dardanët gjatë gjithë kohës janë sjellur në këtë hapësirë. Dardania ishte e pastër dhe për këtë ka edhe një dokument që tregon kur dardanët e Nishit janë detyruar të ikin nga atje për në Selanik. Ky është dokument i verifikuar nga histografia botërore, është burim. Deri në shekullin e 12, Kosova mbet e kursyer nga ngulitjet sllave. Nuk kemi ngulitje sllave deri në shekullin e 12. Çdo gjë që lidhet me sllavët dhe Kosovën para shekullit 12 është spekulim historik. Sllavët këtu mund t’i ndeshim pas gjysmës së dytë të shekullit të 12. Me pushtime nis edhe ngulitja, siç ka ndodhur me Perandorinë Bizantine”, ka thënë Drançolli.
Tutje, ai përmendi edhe termin “shkja” dhe kohën kur ka nisur të përdoret ky term ofendues për sllavët.
“Në periudhën mesjetare kur kishte robër, bujkrobër dhe këta, sllavët, ishin të tillë, servues ose skllavërues, dhe nga kjo del te shqiptarët edhe forma e vjetër, nga latinishtja, ‘skja’. ‘Shkja’ rrjedh nga emërtimi i huazuar nga latinët për sllavët të cilët i konsideronin për robër meqë në atë kohë, Perandoria Bizantine kishte nevojë për fuqi punëtore, për bujq, dhe u formuan të ashtuquajturat Skllavoni”, u shpreh historiani Jahja Drançolli.
Muhamet Mala tha se nëse serbët thonë se kishat dhe Kosova janë djep i serbëve, kjo nuk qëndron pasi që, sipas tij, “ndërtimi i kishave që ata i marrin si dokument dhe argument i vendosjes së tyre në Kosovë gjatë dy gjeneratave të para, nuk gjenden në Kosovë”.
“E kemi manastirin e Zhiqes, nuk është në Kosovë, bile ata e caktuan edhe për seli të kishës. E kemi manastirin e Milloshevës që është në kufi mes Bosnjës dhe Serbisë. E kemi Ravanicën ku është i varrosur princi Lazar. E kemi Studenciën, Shtyllat e Gjergjit në veri të Novi Pazarit”.
“Pra, vet fakti i djepit, siç e quajnë ata, nuk ka ndodh në Kosovë. Kosova është e pushtuar me invazionin e serbëve dhe pastaj këtë pushtim e zyrtarizojnë me formën e shkruar, me kodin e Dushanit, i cili ndjek edhe shqiptarët, edhe vllehët, edhe të gjithë të tjerët që s’i përkasin kishën ortodokse”, theksoi Mala.
Kurse historiani tjetër, Ibrahim Gashi, tha se momenti kur popujt e robëruar kanë ndjerë nevojën për të krijuar mitin e tyre, është në fillimin e shekullit 19 dhe korrespondon me kohën kur fillojnë rilindjet kombëtare të popujve.
“Secili popull i robëruar në një formë synon të gërmojë rrënjët e veta historike që të gjejë një periudhë të shkëlqimit të vetë dhe civilizimit që i takon ose të sajojë atë dhe te serbët ndodh kjo. Në mënyrë shumë të qartë shihet se ata e sforocjonë idenë e krijimit të këtij miti, në fund të shekullit 18 dhe në fillim të shekullit 19, atëherë kur iu duhet ajo, në mënyrë që ta mobilizojë popullin që të shkojë në kryengritjen e parë dhe të dytë serbe”, ka thënë ai.
“Sikur Osmanët të kishin ardhur për të përhapur islamin dhe shqiptarët ta kishin pritur aq duar hapur, nuk ishte dashur të presin dy shekuj për ta pranuar, pra prej shekullit 15 deri në shekullin 17. Është një proces i cili nuk vjen menjëherë, një proces i cili hyn në kuadër të rrethanave të përgjithshme të perandorisë osmane”, ka thënë Mala.
“Shqiptarët, të themi në një kohë, islami i ka mbrojtur në zonat kufitare, për shembull kah Mali i Zi, mirëpo në anën tjetër shqiptarëve iu ka kushtuar islamizimi sepse sot numrin më të madh të shqiptarëve e kemi në Turqi, mbi 5 milionë, të cilët duke iu dhënë material fqinjëve hileqarë, duke i identifikuar me turqit, i kanë shpërngulur atje”, shtoi Mala.
“Për shkak të islamizimit, 5 milionë shqiptarë i kanë çuar në vende tjera”, përfundoi Mala.