Arbëri

Ish-presidenti amerikan Clinton pritet me nderime të larta dhe dekorohet

20 vjet pas luftës, për të dytën herë, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, po e viziton Kosovën.

Clintoni, i cili po qëndron në Kosovë për nder të 20-vjetorit të çlirimit, është nderuar nga presidenti Hashim Thaçi me dekoratën “Urdhri i Lirisë” për kontributin e dhënë, raporton KTV.

Ish-presidenti i SHBA-së tha se ndihet i nderuar dhe se Kosova është shembull i demokracisë.

“Mendoj se e gjithë bota mund ta marrë Kosovën si shembull si është rritur dhe si jetohet në paqe me fqinjët. Kosova meriton të jetë në BE dhe NATO. Unë gjithmonë do të jem krenar me faktin se kam qenë president i SHBA-së kur është dashur të ngritët zëri kundër gjenocidit”, u shpreh Clinton.

Megjithatë, presidenti Thaçi tha se nuk ka çmim që mund të shpërblejë kontributin e ish-presidentit amerikan.

Ish-presidenti amerikan ka takuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai ka arritur në Kosovë, të martën në mëngjes, ku është pritur me një ceremoni në Aeroportin e Prishtinës nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Për nder të 20-vjetorit të çlirimit në Kosovë, ka ardhur edhe ish-sekretarja amerikane, Madeleine Albright, dhe të gjithë do të marrin pjesë të mërkurën në ceremoninë kryesore për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës në Prishtinë.