Përfaqësuesit e mullisëve të Kosovës shprehin shqetësimin se gruri i cili po importohet nga Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë kriteret për prodhim të miellit, respektivisht nuk i plotëson kriteret e cilësisë për konsum. Për këto dyshime ata thonë se kanë njoftuar autoritetet kompetente në Kosovë.
Në anën tjetër, në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, thonë se dyshimet nuk qëndrojnë, pasi që gruri apo edhe mielli i importuar është i cilësisë së mirë.
Vite me radhë, Kosova ka importuar grurin në masën më të madhe nga Serbia, por që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi tarifën doganore 100 për qind për importet nga Serbia, blerja e grurit nga ky shtet ka rënë tërësisht.
Që nga vendosja e taksës, importimi i grurit si lëndë e parë për prodhimin e miellit po sigurohet nga vendet tjera të rajonit, konkretisht nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, dyshon se gruri në Maqedoninë e Veriut është i rezervave të viteve të mëhershme, çka sipas tij, e bën atë të papërdorshëm për përpunim e miellit.
Ai thotë se ky produkti gjendet në tregun e Kosovës për shkak se gruri po përpunohet në Maqedoni dhe në Kosovë po hyn si miell.
“Ne kemi blerë, kemi importuar sasi të grurit për të cilën mund ta vërtetoj, ajo sasi është në rezervat tona, nuk është përpunuar sepse nuk bën të shfrytëzohet për miell”.
“Kam qenë vet akter i asaj ngjarje që gruri i rezervave në Maqedoni nuk i plotëson as minimalisht kriteret për miell. Dhe tashmë ai grurë është duke u përpunuar si miell në mullinjtë e Maqedonisë së Veriut dhe në tregun e Kosovës po hynë si produkt final, pra si miell”, thekson Zejnullahu.