Arbëri

Shefi i UNMIK-ut ankohet në Këshill të Sigurimit për “dhunë të tepruar” ndaj shtetasit rus

Descriptive Text
Image

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në raportimin e rregullt për gjendjen në Kosovë, ka folur në lidhje me aksionin e fundit të forcave speciale të Policisë së Kosovës në vend, më specifikisht në veri të vendit.

Tanin tha se në mëngjesin e 28 majit, sipas urdhrave të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion special, “i përqendruar kryesisht në komunat veriore”, ku në shënjestër ka pasur të dyshuarit për kontrabandë dhe krim të organizuar.

Ai thotë se ky operacion çoi në arrestimin e disa të dyshuarave, duke përfshirë zyrtarë lokalë dhe se gjatë këtij operacioni u lënduan disa të dyshuar dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut foli edhe për arrestimin e shtetasit rus, punonjës i misionit të OKB-së në Kosovë, si dhe arrestimin e një punëtori tjetër lokal (serb) të po këtij misioni.

“Gjatë këtij operacioni u arrestuan dhe u lënduan në incidente të ndara dy punonjës të UNMIK-ut në Zubin Potok, një ndërkombëtar dhe një vendor. Është përgjegjësi e Organizatës së Kombeve të Bashkuara që në mënyrë objektive të përcaktojë rrethanat që kanë prekur punonjësit e saj, të cilën gjë ne e bëjmë në mënyrë sistematike në pajtim të plotë me praktikat e OKB-së, si dhe me imperativin për të përcaktuar faktet në mënyrë të shpejtë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme që ju ta dini, duke pasur parasysh informacionet e paverifikuara dhe spekulimet që janë paraqitur në opinion”, tha Tanin, raporton Koha.net.

Ai përmendi disa pika të ndërlidhura me aksionin e policisë në veri të Kosovës, duke theksuar se “imuniteti i punonjësve tonë nga arrestimi dhe paraburgimi nuk është respektuar”, ndërsa shtoi se edhe “prona e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është bastisur dhe sekuestruar në mënyrë jo të duhur dhe në kundërshtim me ligjet relevante dhe me imunitetin e Organizatës”.

“Përkundër kërkesave tona për bashkëpunim dhe një marrëdhënie pune normale me autoritetet e Kosovës, gjendja e tanishme është se autoritetet u kanë dhënë Kombeve të Bashkuara shumë pak dëshmi relevante apo faktike lidhur me arrestimin dhe lëndimin e punonjësve tonë. Njëkohësisht, disa nga autoritetet e Kosovës kanë lëshuar deklarata për shtyp, si dhe letërkëmbime diplomatike drejtuar shteteve anëtare të OKB-së. Në këto informata mungon baza adekuate e dëshmive, në kundërshtim me atë që ne kemi kuptuar deri më tani, dhe kemi shmangie nga çështjet thelbësore për një hetim objektiv”, ka deklaruar shefi i UNMIK-ut në KS të OKB-së.

Më tej, ai tha se një ditë pas largimit nga Kosova të shtetasit rus për, siç tha ai, “qëllime të trajtimit të nevojshëm mjekësor”, ai është shpallur publikisht si “persona non grata” dhe thotë se të njëjtën komunikatë nga autoritetet e Kosovës e ka pranuar edhe vetë ai.

“Ashtu siç është theksuar, doktrina e ‘persona non grata’ nuk vlen për punonjësit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo në lidhje me ta”, potencoi Tanin.

Ai tha të jetë alarmuar se “të dy punonjësit duket se i janë nënshtruar dhunës së tepruar dhe keqtrajtimit gjatë arrestimit nga policia, me ç’rast u janë shkaktuar lëndime që kanë kërkuar hospitalizim. Kjo është një çështje që do të jetë pjesë thelbësore e hetimeve që ne i kemi iniciuar”, deklaroi shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Ndërkaq, thotë se gjatë këtyre ngjarjeve, ka qenë i obliguar që vazhdimisht të kërkojë lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OKB-së dhe respektimin e të drejtave dhe imunitetit të tyre.

“Kjo nuk do të ishte e nevojshme po qe se vet autoritetet do të respektonin imunitetin e punonjësve të UNMIK-ut dhe të komunikonin me misionin në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe me kohë. Dua që gjithashtu ta bëjë të qartë se misioni ynë plotësisht i përkrahë të gjitha përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe në eliminimin e korrupsionit në institucionet publike. Kjo betejë, siç kam theksuar në deklaratën time publike të datës 28 maj, duhet të bëhet brenda kornizës së parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të cilat mbrohen nga Kombet e Bashkuara, e më së shumti nga ky Këshill”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm ka folur edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ato kanë ardhur në një moment të brishtë.

“Mbledhja e sotme përkon me një përvjetor të rëndësishëm, gjegjësisht me 20 vjetorin e arritjes së pajtimit në Këshill për miratimin e rezolutës së plotë si përgjigje ndaj konfliktit. Gjatë këtyre njëzet viteve shihet qartë se ka pasur progres dhe ndryshime në shumë dimensione në Kosovë, në rajon dhe në botë. Në të njëjtën kohë, ne duhet ta bëjmë edhe një reflektim shtesë. Në mungesë të një procesi të mirëfilltë dhe të domosdoshëm të angazhimit të palëve më konflikt, gjendja nuk mbetet thjeshtë e brishtë, por mund të kthehet së prapthi, gjë që shpesh edhe ka ndodhur. Angazhime produktive mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka pasur që nga vjeshta e vitit 2018 dhe, përderisa shumë vëmendje i kushtohet mosmarrëveshjeve dhe provokimeve të ditëpërditshme, këta nuk janë të vetmit faktorë që janë duke i ndërlikuar përpjekjet për t’iu kthyer negociatave”, tha Tanin.

Sipas tij, vendosja e tarifës prej 100 % nga Kosova lidhur me importimin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja nëntorin e kaluar ende vazhdon, përkundër thirrjes pothuajse unanime nga bashkësia ndërkombëtare për heqjen e saj.

“Qëndrimi i Beogradit është se heqja e taksës së importit është kushti minimal për rifillimin e bisedimeve të mbështetura nga BE-ja. Udhëheqësit e Prishtinës gjithashtu kanë caktuar kushte, por jo gjithmonë me unifikim të qëndrimeve. Ndonëse një ekip negociator i Prishtinës është themeluar, përgjegjësitë e tij të plota mbesin për t’u qartësuar. Po t’i reduktonim këto nuanca komplekse në një vlerësim të vetëm, ai do të ishte: një vistër sinjalesh jokonsekuente kanë penguar përpjekjet për sigurimin e angazhimit të plotë të të dyja palëve në një proces të vetëm apo përfundimtar”, tha Tanin para të pranishmëve në KS të OKB-së.

Ai tha se në këtë rrethanë, udhëheqësit e të gjitha palëve duhet të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre në mënyrë që këtë gjendje komplekse ta drejtojnë larg nga çfarëdo përshkallëzimi më serioz.

“Angazhimi me vullnet të mirë, pa kërcënime dhe ultimatume është i nevojshëm për rikrijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut politik. Unë shpresoj që të gjitha palët e angazhuara mund të punojnë bashkërisht për t’u siguruar që takimi i paraparë të mbahet në korrik në Paris do të shfrytëzohet nga palët t’u kthehen çështjeve substanciale, ato të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në jetën e njerëzve dhe të komuniteteve. Angazhimi më aktiv me një spektër të gjerë të palëve. Demonstrimi i përkushtimit për çuarjen përpara të interesave të popullatës dhe të shpresës së tyre për mundësi më të mira. Pjesëmarrja e mirëfilltë dhe e barabartë e të gjitha segmenteve të shoqërisë. Secili prej këtyre elementeve është thelbësor për arritjen e një niveli më të lartë të procesit politik, por që fatkeqësisht mungojnë në përpjekjet që i kemi vërejtur gjatë kësaj periudhe të kaluar. Koha është esenciale për përgatitjen e fazave të ardhshme të dialogut, pasi që mundësitë e një mirëkuptimi të përbashkët dhe të arritjes së kompromisit mund të rrallohen”, u shpreh Zahir Tanin, shef i UNMIK-ut.

Përveç këtyre temave, Tanin foli edhe për organizmin e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Zgjedhjet ishin të qeta. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, zgjedhjet kanë rezultuar me fitore bindëse të kandidatëve të Listës Serbe, të cilët e kishin pasur pushtetin edhe më herët në këto komuna, dhe të cilët fituan mbi 90% të votave. Konkurrenca e kufizuar në zgjedhje dhe pjesëmarrja e limituar politike në komunitetet e serbëve të Kosovës ishin çështje të vërejtur nga disa përfaqësues diplomatik që kanë monitoruar procesin zgjedhor”, potencoi shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.