Mustafa: Po hetohet se kush e lëshoi alarmin në veri, derisa Policia po kryente aksionin

Mustafa: Po hetohet se kush e lëshoi alarmin në veri, derisa Policia po kryente aksionin

03 June 2019 17:39

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka thënë se është duke u hetuar se kush e kishte lëshuar alarmin në veri, kur Policia kishte ndërmarrë aksionin për kapjen e policëve që dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Në Express Intervistën në KTV, Mustafa ka thënë se e sheh shqetësuese pse ishte lëshuar alarmi, teksa ka thënë se do të ndërmerren masa për ata që kanë bërë këtë vepër.

“Është shqetësuese lëshimi i alarmit. Do të kërkoj të dimë kush është ai që e ka lëshuar alarmin. Jam i obliguar sepse alarmi s’është mjet që lajmëron për aksionin e policisë në kuadër të territorit të shtetit. Ka pasur panik te qytetarët me lëshimin e alarmit. Është vepër që duhet të dënohet nga shteti. Edhe ata që kanë gjuajtur me armë zjarri duhet të dënohen. Procesi është në hetim, policia nuk fle. Kemi informacione”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se nuk e di vlerën e dëmit që dyshohet t’i jetë bërë buxhetit të Kosovës nga këta policë, por ka thënë se dëmi më i madh është keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

Për zyrtarin rus të UNMIK-ut, Mustafa ka thënë se ishte pjesëtar aktiv i barrikadave në veri.

Duke folur për aferën ‘fajde’ dhe raportimet për ndërhyrjen e zyrtarëve policorë në të, Mustafa ka thënë se është keq nëse ka zyrtarë policorë të përfshirë aty.

“Mbetet të vërtetohet. Përndryshe çdo pjesëtar në aferën ‘fajde’ do të ndëshkohet. Drejtësia do t’i qesë në shesh të gjitha”, ka thënë ai.

Për shkeljet e raportuara në Inspektorat ka thënë se do të bëhet një vlerësim i tërësishëm, krahas raportit të Komisionit Parlamentar për Siguri.

Ai ka thënë se synon që të mos ketë keqpërdorime me tenderë në Policinë e Kosovës.

“Synim i imi është të mos ketë keqpërdorime në tenderë. Të mos keqpërdoret paraja publike e taksa e qytetarëve. Bashkë me drejtorin kemi sjellë vendim, edhe me përkrahje të Qeverisë. Është prioritet i punës së Qeverisë të mos keqpërdoret paraja publike. Kemi sjellë vendim që blerjet e pajisjeve speciale përmes tenderëve njëburimorë, komisioni të bëjë porosinë dhe kjo do të jetë përparësi e madhe e ruajtje e buxhetit. Pa ndërmjetësues”, ka shtuar Mustafa.

Mustafa ka thënë se Raporti i Progresit ka nxjerrë se 74 për qind e rekomandimeve janë zbatuar nga ministria që ai udhëheq. Sipas tij, sfidat mbesin në mosbashkëpunimin nga shtetet fqinje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme