Arbëri

Fotografia e Dorentinës

Fotografia e Dorentinës
Foto: Alban Bujari
 

Dorentina Thaqi ndan me fotografinë e babait gëzimin dhe hidhërimin. Para çdo vendimi të rëndësishëm në jetë, e shtrëngon me dy duart fotografinë në kornizë, e bindur se burri trupdrejt do ta frymëzojë për të rrahur rrugën e drejtë.

E ka pikë në zemër që nuk ia kujton ngjyrën e zërit. Dori, sikur se e thërrasin në shtëpi dhe shoqëri, ishte rreth nëntë muajsh kur ia vranë baba Isajën dhe xhaxha Ylberin. Ndërmjet 25 dhe 27 marsit, forcat serbe vranë e masakruan në Krushë të Madhe 243 persona, në mesin e të cilëve edhe dhjetëra burra, si rasti i vëllezërve Thaqi nga Retija, të cilët ishin strehuar te motra pasi ditë më parë ishin dëbuar dhe u ishin djegur shtëpitë. Në mesin e viktimave ishin edhe shtatë fëmijë.