Arbëri

Veseli: Kosova nuk do ta falë Serbinë për krimet e kryera

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një takim me strukturat e degës së PDK-së në Obiliq, ka thënë se Kosova nuk do ta falë Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ai ka thënë se janë për marrëveshje me Serbinë pasi duan paqe dhe perspektive, mirëpo ka shtuar se do të kërkojnë që kriminelet do të përgjigjen për krimet e kryera.

“Tribunali ka qëllim të ardhmen e Kosovës, të gjeneratave të reja. Serbia duhet të paguaj për gjenocidin, nuk do ta falim, Serbia duhet të përgjigjet. Në të njëjtën kohë, jemi për marrëveshje me Serbinë sepse duam paqe dhe perspektivë. Edhe gjykatat tona do të merren me krimet serbe. Në të njëjtën kohë, do të kërkojmë që kriminelet të përgjigjen te ne, por edhe në gjykatën ndërkombëtare”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjet e brendshme partiake ai potencoi se do të jenë pa kompromis kundër dukurive negative.

“Do të jemi pa kompromis ndaj dukurive negative, ne kemi guxim të ballafaqohemi me këtë sfidë dhe të marrim vendime. Ne e dimë cilat janë vendimet e mira, kjo është që kërkoj nga ju, të ofrojmë njerëz të rinj që e duan vendin, të largoheni nga njerëzit që e duan veten, s’na duhet vota e tyre. Nuk do të lejojmë padrejtësi në kuadër të strukturave, solidariteti dhe meritokracia duhet të jenë mekanizëm i nevojshëm në çdo nivel, potencoi Veseli, bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie.

Veseli, ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor në degën e Obiliqit, duke theksuar se ka pasur proces transparent.

“I falënderoj qytetarët që i besojnë veprave tona. Ne marrim vendime dhe ballafaqohemi me sfida. Kjo na përmirëson çdo ditë. Përsosmërinë e arrijmë kur marrim obligime për qytetarët, prandaj jemi partia më e madhe në vend”, tha Veseli.

Nga ana tjetër, kryetari i degës së PDK-së, në Obiliq, Lulzim Sadiku, përshkroi procesin zgjedhor i cili u zhvillua sipas standardeve dhe rregulloreve të Komisionit zgjedhor të PDK-së, ku nga 20 nëndegë, 17 prej tyre, janë kryetar të rinj të nëndegëve, me pjesëmarrjen e mbi 1100 anëtarëve.

Sadiku kërkoi përkrahje nga kreu i PDK-së Kadri Veseli për komunën e cila vlerësohet me specifika të veçanta si dhe vlerësoi lartë Ligjin për komunën e Obiliqit duke theksuar se Dekada e Re, është platformë për të gjithë qytetarët në Obiliq.