Halim Hyseni, ekspert për çështje të arsimit, ka folur për parregullsitë rreth teksteve të reja shkollore.
Ai në “Express Intervista” ka thënë tekstet shkollore janë hartuar jashtëligjshëm dhe duhet të shpallën jolegjitime.
Sipas Hysenit, i tërë procesi duhet të rikthehet në pikën zero dhe këtë duhet ta bëjë Kuvendi i Kosovës.
“Mbi 800 mijë nxënës do të mësojnë nga këto tekste. Këto tekste duhet të shpallen jolegjitime dhe jolegale sepse janë në kundërshtim me infrastrukturën ligjore. Duhet të kërkohet nga Kuvendi që procesi të kthehet në pikën zero. Këto tekste janë në kundërshtim me ligjin për botimin e teksteve shkollore. Thuhet se vlerësimet, recensentet i bëjnë në mënyrë të pavarur dhe këta nuk i kanë bërë në mënyrë të pavarur. Mosvlerësimi i pavarur bënë shkelje të rëndë”, ka thënë ai.
Ai thotë se i gjithë procesi ka shkuar mbrapsht duke theksuar disa nga shkeljet që janë bërë gjatë hartimit të teksteve shkollore.
“Me ligj duhet të ketë barazi të shtëpive botuese dhe janë botuar vetëm tekste në gjuhën shqipe por jo edhe në gjuhë tjera për komunitete. Kemi shkelje të rënda, sepse një ndër kërkesat themelore thotë se recensent duhet të jenë profesor universiteti dhe është shkel ky parim. Thuhet se duhet të ketë mësimdhënës që kanë përvojë dhe këtu ka pasur mësimdhënës pa përvojë, është dashur të ketë psikolog dhe nuk kanë pasur, është dashur të ketë ekspert për çështje teknike dhe nuk ka pasur. Kemi shkelje të infrastrukturës ligjore dhe këto tekste i bëjnë jo etike”, ka theksuar ai.
Hyseni thotë se ministri duhet të bartë përgjegjësi dhe të japë dorëheqje, pasi që sipas tij, në dy vitet e fundit sistemi arsimor ka pësuar regres.
“Ministri i Arsimit duhet të jap dorëheqje për dështimin e këtij procesi. Unë mendoj që duhet të ketë një presion të madh të shoqërisë civile, intelektualëve për dorëheqje të ministrit. Duhet të lexohet Raporti i Progresit, sektori i arsimit ka pasur regres”, ka thënë ai.
Ai thotë se është normale që MASHT të flas mirë për punën e vet, derisa ka shtuar se, ministri duhet të jap përgjegjësi për dështimin e procesit.
“Inspektorët e arsimit do të duhej të kujdeseshin për këtë proces, mirëpo inspektorët janë njerëz të ministrit. Këtë duhet ta shqyrtojë Komisioni për Arsim. Këto vendime dhe ky vlerësim nuk guxon të shkojë pa kaluar në filtrat e parlamentit”, ka shtuar ai.
Hyseni thotë se në dy qeverisjet e fundit, më së shumti e ka pësuar arsimi.
“Tek ne gjithçka është duke shkuar mbrapsht. Unë i ftoj njerëzit që ia duan të mirën e këtij vendi të fillojnë të flasin sepse heshtja po na dëmton. Arsimi në këto dy qeveritë e fundit vetëm sa është duke shkuar keq”, ka thënë ai.