7 perditesime
17:02

Thaçi: Në Kosovë nuk ka vend për dhunë, organet e rendit të veprojnë menjëherë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj sulmit të një gruaje rome që u bë sot në Ferizaj.

Ai ka thënë se është krejtësisht e papranueshme dhe shumë e dënueshme dhuna kundër cilitdo në Kosovë.

Sipas Thaçit, sulmin kundër një qenie nuk e arsyeton as përkatësia ndonjërit komunitet e aq më pak raportimet e paverifikuara në mediet sociale apo në ndonjë portal.

“Ftoj për sjellje të përgjegjshme e qytetare të çdo kosovari, për raportim të përgjegjshëm të medieve dhe për veprim të menjëhershëm e të rreptë të organeve të rendit për të mbrojtur çdo njeri në Kosovë. Në Kosovën tonë nuk do të ketë vend për dhunë”, ka shkruar ai në Facebook.

16:42

RrGK kërkon nga institucionet të gjejnë vend të sigurt për gruan rome

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ka reaguar ndaj sulmit të dytë që ju bë një gruaje rome njëherë në Lipjan e sot në Ferizaj.

Përmes një njoftimi për medie ato thonë se, gruaja u sulmua pavarësisht reagimeve dhe protestave.

“Përmes kësaj kumtese Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësim për mungesën e mbrojtjes ndaj saj, përgjegjësi kjo e organeve të rendit dhe të sigurisë. Nga informatat e marra nga deklaratat mediale të Policisë së Kosovës, kuptuan se kjo grua është riatdhesuar në vitin 2011 nga Belgjika. Kujtojmë se ajo nuk i njeh gjuhët lokale dhe kjo mund të paraqesë rrezik shtesë për jetën e saj”, thuhet në njoftim.

Rrjeti i Grupit të Grave iu ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të gjejnë një vend të sigurt për këtë grua, ku ajo mund të qëndrojë derisa të qetësohet situata, si dhe derisa ushtruesit e dhunës ndaj saj të japin përgjegjësi tek organet kompetente.

“Ne besojmë fuqishëm që nëse do të kishte reagim të duhur ditë më parë, kur ajo u sulmua fillimisht në Lipjan, dhe nëse sulmuesit e saj do të ballafaqoheshin me drejtësinë, atëherë do të përcillej mesazhi se vendi ynë nuk toleronon dhunën e aq më pak dhunën që ka për bazë përkatësinë etnike të një qytetari/eje”, thuhet ndër të tjera.

Ato kanë kërkuar edhe nga Prokuroria e Shtetit të ndërmarrë veprime urgjente në hetimin dhe procedimin e rastit në përputhje me Nenin 141 të Kodit të ri Penal të Kosovës për të dy sulmet ndaj gruas rome në fjalë.

“Në përputhje me këtë nen kushdo që nxit urrejtje dhe publikisht ushtron gjuhën e urrejtjes, përçarjes apo edhe mos-durimit duhet të përgjigjet para ligjit. Si shoqëri duhet të dalim me mesazh të qartë së këso forma të dhunës dhe nxitjes së urrejtjes nuk duhet toleruar në asnjë mënyrë. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, përkatësie etnike, identiteti gjinor apo orientimi seksual që të reflektojnë mbi rolin tonë si qytetarë në respektim dhe mbrojte të dinjitetit të njëri-tjetrit, dhe se bashku t’i ndëshkojmë sulmet raciste, homofobike dhe sulmet që kanë për qëllim ta dëmtojnë dinjitetin e një individi”, përfundon njoftimi.

16:35

Pacolli i kërkon Policisë ta trajtojë me prioritet rastin e dhunës ndaj gruas rome

Për sulmin ndaj gruas rome nga disa të rinj në Ferizaj, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

Pacolli ka kërkuar që Policia të veprojë sa më parë për këtë rast.

“Pashë pamje nga sulmi i sotëm në Ferizaj. Ju djem të rinj që sulmoni këtë grua të pa mbrojtur, a keni ndonjë motër apo nënë ju? Kush ju jep të drejtën ta sulmoni? Policia e Kosovës të vepron sa më parë, me prioritet të lartë”, ka shkruar ai.

16:30

Komuna e Ferizajt kërkon dënimin e personave që sulmuan gruan rome

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, pas marrjes së njoftimit dhe skenave të tmerrshme të cilat qarkullojnë edhe në mediat sociale dhe të tjera ku shihet një shtetase e Republikës së Kosovës e komunitetit rom që sulmohet nga një grup të rinjsh në qendër të Ferizajt, ka reaguar duke thënë se ky rast më së paku shpërfaqë mikpritjen për të cilën dallohet ky qyteti dhe tolerancën e kultivuar ndër vite mes njëri-tjetrit.

“Ky rast i izoluar më së paku shpërfaqë mikpritjen për të cilën dallohet qyteti ynë dhe tolerancën e kultivuar ndër vite mes njëri-tjetrit. Dënoj aktin e dhunës ndaj qytetares e cila është sulmuar sot nga një grup të rinjsh në Ferizaj dhe kërkoj nga organet e drejtësisë dhe sigurisë që në afat sa më të shpejt të marrin masat e nevojshme përkitazi me legjislacionin në fuqi. Institucionet komunale distancohen nga kjo dhunë dhe si të tillë, kërkojmë dënimin e kryesve të këtij akti të shëmtuar dhe kundër vlerave qytetare e njerëzore” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Nga burimet e Komunës së Ferizajt, qytetarja e nacionalitetit rom gjendet në organet e sigurisë dhe po merr trajtimin e nevojshëm ligjor, nën mbikëqyrjen e organeve përkatëse sociale.

Në reagim thuhet se Komuna e Ferizajt është e gatshme të ofroj gjithë ndihmën e nevojshme në kompetencën e saj për të trajtuar dhe ndihmuar në këtë rast.

16:29

Kinolli dënon sulmin ndaj gruas rome, kërkon reagim nga institucionet

Albert Kinolli, nga radhët e Grupit Parlamentar 6+ ka komentuar sulmin ndaj gruas rome në Ferizaj,

Ai përmes një statusi në Facebook, ka pyetur nëse të njëjtit persona do ta sulmonin një grua në të njëjtën mënyrë nëse ajo nuk do të ishte rome.

“Të nderuar qytetarë, tmerri i cili ndodhi para dy dite në Lipjan, për fat të keq prapë u aktualizua, por sot në Ferizaj, pyes veten se në çfarë shoqërie jemi duke jetuar, kush janë këta njerëz kaq mizor, kujt i pengon të lëvizë lirshëm një grua e pafajshme, cila është prapavija e gjithë kësaj drame dhe kujt i bënë nderë një keqtrajtim i këtij lloji dhe krejt këto fakte, pa dëshirën time, me shtyjnë të mendoj se a thua vallë do të silleshin këta persona të pa ndërgjegjshëm njësoj edhe me ndonjë grua tjetër sikurse mos të ishte Rome? Pyes veten dhe juve,deri kur më kështu”, ka shkruar ai.

Ai ka falënderuar Policinë dhe udhëheqësit institucional për reagimin e shpejtë derisa ka kërkuar që të merren masa.

“Unë personalisht falënderoj drejtorin e Policisë, Rashit Çalaj, i cili dje në koordinim me organet kompetente viktimës Rome i ka ofruar strehim në strehimoren e Lipjanit, por e njëjta me vetë dëshirë e ka lëshuar strehimoren duke refuzuar ndihmën e ofruar institucionale. Po ashtu falënderojë kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, për përkrahjen dhe reagimin e menjëhershëm me ç’rast e dënoi këtë akt të dhunës”, tha ai.

Ai ka dënuar dhunën e përdorur derisa ka lutur qytetarët për solidaritet.

“Me këtë rast,edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj gruas Rome të personave të pa ndërgjegjshëm dhe bëjë apel organeve të rendit që këta persona sa më parë të dalin para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Krejt në fund lus qytetarët që të tregojnë nivel më të lartë të tolerancës ndëretnike, mirëkuptim dhe respekt ndaj kësaj viktime të pafajshme, solidaritet sepse nuk është kjo, ajo shoqëri Kosovare të cilën e kemi ëndërruar,për të cilën kemi kontribuar dhe të cilën e duam dhe e donë bota demokratike”, ka përfunduar ai.
 

15:30

Haradinaj: Agresioni ndaj gruas rome i turpshëm dhe i dënueshëm

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas sulmit të dytë ndaj gruas rome që iu bë sot në Ferizaj.

Ai ka shkruar se ky agresion është e turpshme dhe duhet të dënohet, transmeton Koha.net.

“Agresioni i shfrenuar i disa adoleshentëve në Lipjan dhe Ferizaj ndaj qytetarëve, për shkak të përkatësisë së tyre etnike, është i turpshëm dhe i dënueshëm. Ne, me shumë mund e sakrifica po ndërtojmë një shtet të drejtë dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjitha komunitetet janë të lira e të barabarta, prandaj sulmet mbi pjesëtarë të komuniteteve pakicë, bien ndesh me vlerat tona tradicionale dhe parimeve ligjore dhe nuk do të tolerohen”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje që të ndërmerren masa të menjëhershme për këtë çështje.

“U bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit që të marrin të gjitha masat konform normave ligjore, ndërsa nga prindërit dhe arsimtarët kërkoj të kenë kujdes të shtuar për fëmijët e tyre, në edukimin e drejtë si preventiva më adekuate kundër çdo lloj manifestimi të dhunës dhe urrejtjes”, ka shkruar Haradinaj.

15:11

Rrjeti i Grave RAE i shqetësuar për sulmin ndaj gruas rome, kërkon reagim të menjëhershëm të institucioneve

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), është tejet i shqetësuar lidhur me rastin e gruas nga komuniteti rom, e cila sot u sulmua sërish, në qytetin e Ferizajt.

RROGRAEK përmes një komunikate për media konsideron se kjo që po ndodh me gruan rome, është tejet serioze, pasi që ajo u sulmua, përkundër asaj që shteti një ditë më parë e mori atë nën mbrojtje.

"Ku mund të drejtohemi dhe tani më nuk e dimë kush do të kujdeset për të. Jeta e saj është në rrezik. Kërkojmë dhe bëjmë apel tek gjitha instancat e larta në vend, që të merren seriozisht me këtë rast", thuhet në komunikatë.

Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave, transmeton Koha.net.

Përderisa Policia e Kosovës, ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online, kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq. Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akteret e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaja rome, të marrin dënimin e merituar.

RROGRAEK fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve, duke të trajtuar rastin deri në fund.

RROGRAEK po ashtu u bënë thirrje institucioneve arsimore në Kosovë, që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom.

14:37

Veseli i shokuar me pamjet e sulmit ndaj gruas rome, kërkon veprim të menjëhershëm institucional

Kryeparlamentari, Kadri Veseli thotë se është i shokuar nga pamjet e sulmit ndaj gruas rome në Ferizaj.

Ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional me këtë rast, transmeton Koha.net.

Sulmohet sërish gruaja rome, tani në Ferizaj

“Jam i shokuar me pamjet e sulmit ndaj një qytetare të lirë të këtij vendi. Veprime të tilla janë të papranueshme. Është i domosdoshëm veprimi i menjëhershëm dhe institucional i organeve të sigurisë në lidhje me rastin. Çdo shqetësim publik duhet të trajtohet në mënyrë institucionale. Linçimi publik nuk na nderon si shoqëri demokratike dhe nuk guxojmë dhe as që duhet të lejojmë që secili të marrë të drejtën e gjyqësisë në këtë vend”, ka shkruar Veseli në Facebook.