GAP: Kërkohet që bankat në Kosovë të publikojnë normat efektive të interesit

GAP: Kërkohet që bankat në Kosovë të publikojnë normat efektive të interesit

31 May 2019 13:42

ProCredit Bank, Ish Bank dhe Ziraat Bank nuk publikojnë në web faqet e tyre informata rreth kostos së kredisë, shprehur përmes normës efektive të interesit, në përputhje me rregullat e BQK-së.

Ndërkohë që një ndër kërkesat më me vlerë për mbrojtjen e konsumatorëve është që informacioni para-kontraktor të përmbajë informata rreth kalkulimit të NEI bashkë me një shembull ilustrues.

Kështu u tha në tryezën “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar”, të organizuar nga instituti GAP, ku u theksua se në rolin e vet për mbrojtjen e konsumatorëve përmes edukimit financiar, BQK nuk ka bërë mjaftueshëm në shpërndarjen e informatave për qytetarët, si rrjedhojë edhe edukimin e tyre.

Nora Jusufi, e cila bëri prezantimin e konstatimeve, tha se është mirë që të publikohen të gjitha materialet e edukimit financiar.

Teksa shtoi se tek konsumatorët duhet të ofrohet edhe shembulli i kalkulimit të normës së interesit.

“Me ligjin e ri kërkohet që norma efektive e interesit të shpaloset, që të dihet kostoja totale e kredisë, dhe bankat të cilat nuk e publikojnë këtë është ProCredit Banka, Ish Banka dhe Ziraat Banka, për kreditë e biznesit, ndërsa për kreditë individuale, është Sirat Banka. Po ashtu, mungojnë edhe informata tjera si tarifa për mirëmbajtjen e kredisë apo provizioni për parapagim”, tha Jusufi.

Njëherësh, ajo bëri të ditur se nga 675 të anketuar online për shërbimet që ofrojnë bankat në vend, rreth 54 përqind e tyre besojnë që banka ku kanë llogari është e drejtë, 46 përqind jo e drejtë.

“Rreth 94 përqind e të anketuarve, kanë llogari individuale, ndërsa 6 përqind e tyre kanë llogari biznesore. Mund të themi që është pothuajse i barabartë vlerësimi për sa mendojnë që banka në të cilën kanë llogari është e drejtë apo jo, sa janë të kënaqur me shërbimet që i marrin. 18.5 përqind mendojnë që banka e tyre është aspak e drejtë, 24.7 përqind jo dhe aq e drejtë, ndërsa deri diku e drejtë, 38.9 përqind dhe shumë e drejtë 15.2 përqind”, u shpreh ajo.

Kryetarja e Komitetit Ligjor të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Vlora Osmani, tha se çdo kërkesë që vjen prej konsumatorëve, bankat i marrin informacionet nga shoqata. Ajo tha se të gjitha bankat i përdorin formularët, dhe prej ditës së hyrjes në fuqi të ligjit, bankat janë në përputhje me të.

Risia e ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, sipas Osmanit, ka qenë informata parakontraktuese për klientët, e cila i është dhënë edhe më herët klientit, mirëpo nuk ka pasur një formular të njëjtë.

“Bashkëpunimi jonë me sponzorizuesit e ligjit dhe BQK-në është i ngushtë në draftim të ligjit, në komentim të ligjit dhe në përcjelljen e komenteve konkrete për ligjin dhe kur është amandamentuar tash. Para hyrjes në fuqi, ne vetëm i kemi pasur informatat për ndryshimet që do të bëhen për ligjet në mbrojtjen e konsumatorit, bankat të jenë në harmoni të plotë sepse edhe BQK-ja është shumë strikte në monitorim të këtyre kërkesave që dalin nga ligji për mbrojtjen e konsumatorit”, tha Osmani.

Drejtoresha e Departamentit të Ankesave në BQK, Venera Agani, tha se nga viti 2011, me themelimin e Divizionit të ankesave, pranohen dhe shqyrtohen të gjitha ankesat e konsumatorëve.

“Të gjitha bankat dhe të gjitha institucionet financiare janë të obliguara që në baza 6 mujore të raportojnë numrin e ankesave në BQK. Do të thotë, në mënyrë të vazhdueshme e monitorojmë numrin e ankesave që bankat trajtojnë dhe ën përgjithësi kënaqshmëria është e duhur. Mënyrën e raportimit e kanë të përcaktuar nga BQK. Sa i përket trajtimit të ankesave në BQK, është rregull e brendshme për trajtimin e ankesave, sikurse që e kanë edhe bankat komerciale. Do të thotë, afatet ligjore janë të përcaktuara me ligje të tjera të cilat ne jemi të obliguar t’i respektojmë. Afati për përgjigje ndaj ankesave është 15 ditë, mirëpo në rast se na duhet afat shtesë, atëherë ne i njoftojmë palët”, u shpreh ajo.

Bazuar në të gjeturat, Instituti GAP rekomandon që: BQK të monitorojë respektimin e rregullores për normën efektive të interesit dhe kërkesat për shpalosje, e cila obligon edhe publikimin e çmimeve dhe tarifave në ueb-faqe nga banka, BQK të lidhë vegzën e platformës për edukimin financiar në ueb faqen zyrtare të Kosovës si dhe të bëjë publikimin e materialeve informuese dhe edukative të mbledhura etj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme