Arbëri

Krasniqi thotë se para mocionit duhet pasur një strategji afatgjate nga opozita

Descriptive Text

Sipas deputetit të PSD-së, Frashër Krasniqi, duhet një strategji e përbashkët afatgjate nga opozita, para se mocioni për rrëzimin e qeverisë të dërgohet në Kuvend.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka komentuar takimin e sotëm të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa me atë të PSD-së Shpend Ahmeti, duke thënë se “ka vetëdijesim të opozitës”.

“Mendoj se është shumë pozitive për Kosovën që kemi një vetëdijesim të partive opozitare, veçanërisht të LDK-së që duket se ka shpreh besim për organizim opozitare. Më në fund po vetëdijesohet opozita dhe po bëhen disa hapa që nëse arrihet deri te një koordinim i plotë i subjekteve, edhe rezultatet do të jenë të pashmangshme e të suksesshme”, ka thënë ai.

Sipas tij, me nisjen e takimeve duhet të ketë marrëveshje në dy pika. E para që të mos ketë vendime të njëanshme në kuadër të një strategjie të përbashkët opozitare dhe e dyta është që të bëhet strategji afatgjate se çka do të bëjë opozita para dhe pas zgjedhjeve.

“Pasi të merremi vesh për këto pika do të ishte një bashkëpunim shumë më i organizuar e më konkret sepse besoj se një opozitë me plan konkret me strategji të qartë se çka do të bëjë me Kosovën, para dhe pas rrëzimit të Qeverisë, do të bëhej fuqi më e madhe për të bindur akterët e pushtetit të kalojnë në anën e opozitës për të rrëzuar qeverinë”, ka shtuar ai.


Duke folur për punën në Kuvend, Krasniqi ka thënë se PSD-ja do ta përkrahë ligjin e ri për financimin e partive politike, ndërsa për Tribunalin ka thënë se kanë kritika për vonesë, por se do të përkrahin iniciativën për dënimin e krimeve serbe në Kosovë.

“Është e vërtetë dhe s’duhet të mohohet e vërteta që tash e 20 vjet s’ka pas asnjë iniciativë për krijimin e një Tribunali të tillë edhe pse të njëjtit njerëz ishin në pushtet. Por s’mund të dal kundër nëse e propozon dikush e jo dikush tjetër. Parimisht krahas kritikës pse s’u bë më herët, duhet të tregojmë çka mendojmë për këtë tribunal. Nëse jemi dakord për këtë, mendoj se s’do të duhej të kishte rëndësi se kush e bën. Edhe pse kritika duhet t’u bëhen. Parimisht jemi që të krijohet një komision i cili pastaj do të orientojë Kuvendin dhe Qeverinë se qysh të veprohet me këtë çështje. Mendoj që komisioni do të jetë përgjegjës për të gjitha këto çështje. S’ka diskutim që krimet e Serbisë në Kosovë duhet të dënohen. Se në çfarë forme duhet të bëhet, besoj është përgjegjësi e Komisionit të japë propozim, e Kuvendi të votojë”, ka thënë ai.

Sa i përket skandalit të fajdeve dhe videove të publikuara nga Koha ku akterët përmendin edhe emrin e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Me të thënë të drejtën, jam habit edhe jo me publikimin e videove. S’është që pres më shumë nga njerëzit aferat e të cilëve u kanë dalë më herët e qartë. E kam fjalën për klanin Pronto. Jam habitë sepse gjatë gjithë kohës po flasin për sistem të drejtësisë, sundim ligji e kështu me radhë e në fund po del se në gjykatat në Kosovë ka gjashtë vjet që ka qarkulluar lënda ku përmendej emri i kryeparlamentarit e ajo lëndë veç është sill e nuk është thirrur fare Veseli”, ka thënë më tej ai.

Ai ka thënë se pikërisht për këto raste, PSD-ja ka propozuar procesin e vettingut.

“Kemi propozuar vetting, por s’janë të interesuar. Pa u bë një proces i tillë ku secili gjykatës, prokuror, e secili drejtues i institucioneve të sigurisë, i nënshtrohet një procesi të vettingut, s’mund të ketë gjyqësor të pavarur nga politika”, ka shtuar ai.