Ministria e Punëve të Jashtme e ka proceduar në Misionin e Kombeve ët Bashkuara në Kosovë, kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të shtetasit rus, Mihajl Aleksandrovic Krasnochekov.
Ky punonjës i UNMIK-ut është arrestuar një ditë më parë nga Policia e Kosovës gjatë aksionit anti-kontrabandë në veri të vendit, nën dyshimin se bashkë me një punonjës tjetër të këtij misioni të Kombeve të Bashkuara dhe disa serbë lokalë, kanë penguar aksionin duke vendosur një barrikadë në rrugë.
Prokuroria do që shtetasit rus të UNMIK-ut t’i hiqet imuniteti
Prej se është themeluar, është ky rasti i parë kur Ministria e Punëve të Jashtme kërkon heqjen e imunitetit për një diplomat me mision në Kosovë.
“Zyrtarisht Ministria i është drejtuar Misionit të Kombeve të Bashkuar në Kosovë, që t’ia heq imunitetin z. Milajl Aleksandroviq Krasnochekov. E ka bërë këtë me kërkesë të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”, i ka thënë Kohës Ditore një burim në Ministri.
“Z. Aleksandroviq është subjekt i procedurës penale, pasi që ky dhe shtatë persona të tjerë dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të Pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Gjatë ditës, përmes një komunikate për media, Prokurori i Shtetit ka bërë të duitur se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla i është drejtuar Departamentit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në lidhje me heqjen e imunitetit për shtetasin rus.
“Për të njëjtin dhe 7 persona tjerë Prokuroria Themelore e Mitrovicës me datë 28 maj 2019, ka filluar hetimet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’ nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe 2 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’ nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorit të Shtetit.
Në shkresën adresuar Misionit të Kombeve të Bashkuara, janë dhënë garanci për gjykim të drejtë.
“Në kërkesën për heqje të imunitetit janë siguruar autoritetet kompetente të UNMIK se të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me ligje në Kosovë do të respektohen ndaj z. Aleksandroviq, duke e përfshirë parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme”, ka thënë një burim brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.