Arbëri

Epik: Raporti për 2019 - Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin integrues

Foto: Driton Paçarada / KD

Sot Komisioni Evropian publikoi Pakon e Zgjerimit të përbërë nga Strategjia e Zgjerimit 2019, si dhe gjashtë raporte vlerësuese për secilin vend të Ballkanit Perëndimorë.

Në një komunikatë për media, instituti EPIK thotë se sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriut, Komisioni Evropian rekomandoi nisjen e negociatave. Tani është mbi 28 Shtetet Anëtare të vendosin pra ose kundër këtij rekomandimi.

“Sa i përket aplikimit të Bosnjës de Hercegovinës për statusin e kandidatit, Komisioni Evropian nuk rekomandoj dhënien e statusit kandidat, por vendosi 14 kritere që duhet të përmbushen paraprakisht në fushën e zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe reformës së administratës publike”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, sipas EPIK, sa i përket Kosovës, në përgjithësi vlerësohet se Kosova nuk ka treguar vullnet politik për avancimin e rrugës së saj integruese.

“Është bërë progres i kufizuar në zbatimin e reformave Evropiane, por ky progres ka mbetur nën hijen e vendosjes së tarifës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës. Tarifa është vendosur në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe frymën e Marrëveshjes Stabilizim Asocimi. Kosova duhet të ndërtoj konsensus politik për të avancuar rrugëtimin e saj integrues, në veçanti duke u angazhuar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, largimin e tarifës 100% dhe intensifikimin e zbatimit të MSA-së”, thuhet në komunikatën e EPIK.

Tutje, thuhet se sa i përket institucioneve të sundimit të ligjit dhe prokurorisë, duhet të ndermirën masa për të siguruar se këto institucione nuk ndërmarrin veprimet nën ndikimin politik. Korrupsioni është i përhapur në gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik. Kredibilitetit i Qeverisë është dëmtuar nga numri i lartë i zëvendës ministrave.

Emërimet e personave të gjykuar për krime të luftës dhe korrupsion apo krim të organizuar në pozitat publike janë në kundërshtim me vlerat Evropiane.

“Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, vendosja e tarifës 100% ka dëmtuar bashkëpunimin rajonal. Institucionet e Kosovës duhet të tërheqin vendimin për tarifën 100% dhe të ndërmarrin masat konkrete drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është urgjente dhe e rëndësisë kyçe për avancimin e rrugës integruese të dy vendeve. Gjatë konferencës për media, Komisioneri Hahn bëri publike se gjatë muajit qershor do të ndërmerr një iniciative të radhës për të ri-aktivizuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me shpresë të arritjes së ndonjë progresi në muajin korrik”, thuhet tutje.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Evropian ka ri-përsëritur qëndrimin e tij se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Sidoqoftë, raporti fton institucionet e Kosovës të vazhdojnë përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe migrimin.