Arbëri

Veseli: Dikush po mundohet ta keqinterpretojë iniciativën për Tribunalin

Descriptive Text

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në Mitrovicë, strukturat e reja të degës së PDK-së me të cilat ka diskutuar edhe për formimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se dikush po mundohet ta keqinterpretoj iniciativën për formimin e Tribunalit duke shtuar se kjo iniciativë nuk ka të bëj me urrejtje.

Veseli ka përsëritur që Serbia duhet të paguaj për krimet dhe të marrë përgjegjësi për to.

“Iniciativën për Tribunalin dikush po mundohet ta keqinterpretoj. Kur është kërkuar kemi luftuar për shtet, dhe iniciativa nuk ka të bëj me urrejtjen. Mendoj për paqe dhe pajtim. Kjo na duhet neve. Iniciativa për Tribunalin pikërisht ka të bëj me këtë. Por, Serbia duhet së pari të paguaj për krimet. Krimet kanë qenë të shtetit serb dhe ajo duhet të marrë përgjegjësi dhe të distancohet dhe kriminelët duhet të dënohen dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Ne do të vazhdojmë të merremi pastaj edhe me krimet e komunizmit, me problemet që ende janë plagë, në mënyrë institucionale”, tha Veseli, bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie.

Kreu i PDK-së ndër të tjera ka vlerësuar zotimet e kryetarit të ri të Degës, Bedri Hamza.

Pasi diskutoi për qeverisjen aktuale lokale, Veseli potencoi se Mitrovica ka përgjegjësi edhe për komunat në veri, andaj kërkoi nga dega dhe kryetari Hamza, të bëhet punë e mirëfilltë që besimi i qytetarëve të realizohet, duke vlerësuar lartë procesin zgjedhor, strukturat e reja dhe përfaqësimin dinjitoz nëpërmjet votës në Kuvendin demokratik zgjedhor në degë.

“Me politika të mençura të ndërmarrësisë, me njerëz inovator që dinë dhe duan ta transformojnë Kosovën. Ky është vizioni ynë, t’u japim mundësi gjeneratave të kontribuojnë, të zhvillohen të krijojnë familje dhe perspektivë për Mitrovicë dhe Kosovë dhe ne mund t’ia arrijmë”, tha ai.

Ndërsa, Kryetari i Degës, Bedri Hamza, i ka quajtur të ulëta sulmet me prapavijë politike që po i bëhen PDK-së.

“Sulmet e ulëta dhe me prapavija politike që po i bëhen PDK-së, do të jenë turpëruese për gjithë ata që i kanë nisur, drejtësia ta thotë sa më parë fjalën e vet”, ka thënë Hamza.