Arbëri

Kryetarët e Odave Ekonomike të rajonit pajtohen për bashkëpunim ekonomik

Kryetarët e Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, njëherit anëtar të Bordit Menaxhues të Forumit Investiv të këtyre Odave i njohur me shkurtesën CIF(Chamber Investment Forum), zhvilluan sot një takim të përbashkët në Odën Ekonomike të Kosovës në Prishtinë ku diskutuan aktivitetet e radhës dhe idetë konkrete që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe ndihmojnë integrimin ekonomik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, si nikoqir i këtij takimi, gjatë fjalës së tij tha se qëllimi kryesor i Forumit Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor dhe takimeve të tilla, është nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, bëhet e ditur përmes një njoftimi për medie.

Ai theksoi se rajoni ka nevojë për investime dhe një treg i përbashkët mund të jetë shumë atraktiv dhe me potencial për të tërhequr kompani të mëdha botërore për të investuar.

Rukiqi në fjalën e tij shtoi se një ndër qëllimet e organizatës CIF është të lehtësoj rrugën e vendeve tona drejt BE-së duke nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe duke treguar se pavarësisht çdo problemi politik mund të ecim përpara me iniciativat tona sepse bizneset kanë nevojë për lehtësim të rrugës për tregti dhe investime.

Ndërkaq kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Mucostepa, tha se bashkëpunimi rajonal në fushën ekonomike është shumë i rëndësishëm për të gjithë, jashtë çdo ngjyre politike dhe se integrimi ekonomik është hallka më e fortë që do të çojë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.


Pjesë e delegacioni që vizitoi sot Prishtinën dhe Prizrenin ishte edhe kryetari i Bordit Menaxhues të CIF-it, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Cadez, i cili deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë më kohë për të humbur dhe se duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që secili shtet të përfitojë dhe të gëzoj zhvillim ekonomik.

Ai gjithashtu përmendi disa aktivitete rajonale të rëndësishme, mes tjerash edhe aktivitetin që do të mbahet në Londër në bashkëpunim me “Financial Times” ku do të prezantohet rajoni i Ballkanit Perëndimor si destinacion për investime.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriore, Branko Azeski, tha se një bashkëpunim më i mirë në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’i dërgonte një mesazh pozitiv edhe institucioneve evropiane.

Ai deklaroi se bashkëpunimi rajonal është obligim, ngase sipas tij, është turpëruese të kemi bashkëpunim më të mirë ekonomik me një vend që është 2000 kilometra larg se sa me njëri-tjetrin.

Azeski shtoi se kompanitë në Ballkanin Perëndimor kanë nevojë për një komunikim më të mirë dhe se do të shfrytëzojnë model të përafërt me atë nordik për të përmirësuar këtë mangësi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Vlastimir Goluboviç, gjatë fjalës së tij përmendi disa iniciativa dhe projekte rajonale në kuadër të Forumit Investiv të Odave të Ballkanit Perëndimor që lidhen me fusha të ndryshme si aftësim profesional, digjitalizim dhe projekte tjera të cilat do të realizohen në vitet në vazhdim.

Ai shtoi se ky takim është një mundësi e mirë që së bashku të ndajmë shqetësimet e të gjithë ndërmarrësve që përfaqësojmë dhe t’ju dërgohet mesazh të gjithë atyre që kanë mundësi për t’ju përgjigjur këtyre sfidave.

Sekretari i Përgjithshëm i CIF-it, Safet Gërxhaliu, tha se nga ky takim mund të nxirren mesazhe të rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe në këtë drejtim duhet të pajtohemi se dialogu dhe bashkëpunimi rajonal nuk kanë alternativë.