Arbëri

Basha i përgjigjet Ramës: Ti je artist në artin e mashtrimit

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli me votë.

Duke folur për letrën e hapur dhe kërkesën për dialog të kryeministrit Rama, Basha tha se, “dje pasi shpalli hapur se shqiptarët janë më mirë pa gjykata, Edi Rama më dërgoi mua një letër për të më ftuar në “dialog”, pra, që unë dhe ai të ulemi për të biseduar, sepse, sipas tij, kështu e kërkon demokracia. Në të vërtetë demokracia e kërkon që pushteti të burojë nga populli dialogojë me popullin, demokracia kërkon që mosmarrëveshjet që nuk i zgjidh dot politika t’i zgjidhë populli, me votë”.

“Dje”, vijon Basha, “Gjykata e Lartë mbeti vetëm me dy anëtarë dhe praktikisht është asgjësuar, pasi ajo nuk mund të gjykojë më asgjë. Mbi 40 mijë çështje presin të shqyrtohen nga kjo Gjykatë, një pjesë e madhe e çështje të të drejtave njerëzore dhe të të drejtës së pronës, shumë prej tyre kundër dhunimeve të qeverisë. Për të gjithë ju që prisni drejtësi ajo do të vonojë të paktën 4-5 vjet dhe më shumë. Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtar prej 2 vitesh, duke lënë pa asnjë kufizim pushtetin e kryeministrit i cili tani qeveris me fermane personale”.

Sipas Bashës, “për Ramën arti i qeverisjes demokratike është i huaj, ai është artist në artin e mashtrimit. E gjithë qeverisja e tij ka qenë grabitje dhe mashtrim i popullit, i pasurive publike dhe dhunim i çdo vlere demokratike e perëndimore”.

Sipas kreut të PD, “Edi Rama duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se ai i vodhi zgjedhjet e 25 qershorit, kur njerëz të varfër u rrahën dhe vdiqën në qelitë ku mbaheshin për fatura dritash apo shtesë banese pa leje, kur qytetarëve të Shkozës, Bulevardit të Ri, të Himarës e kudo në Shqipëri u prishi shtëpitë pa shpërblim dhe pa proces ligjor, kur helmoi me gaz qytetarët që protestojnë për të drejtat e tyre”.

“Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen sa herë që Shqipërisë iu refuzua hapja e negociatave nga BE. Kur shqiptarët filluan të emigronin në masë pa asnjë shpresë, kur investitorët perëndimorë filluan të largohen njëri pas tjetrit nga Shqipëria për t’u zëvendësuar me oligarkë vendas apo me kriminelë rusë apo lindorë, kur qeveritë evropiane u alarmuan sepse Shqipëria u shndërrua në bazë të sigurt të krimit të organizuar”, tha ai.

Basha shtoi se Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Shqipërisë sikur Shqipëria të ishte pronë e tij private. Edi Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kur u zbulua se kishte negociuar kufijtë e Kosovës sikur Kosova të ishte prona e tij private”, shton Basha.

“Vendi ynë ka shumë plagë të thella, të cilat duan ide, vullnet dhe punë të shërohen. Sot, Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë politik, ekonomik e shoqëror. Ne duhet të çlirojmë politikën nga paratë e pista dhe autokracia, të çlirojmë ekonominë nga oligarkët, nga monopolet e dhuna shtetërore, të krijojmë mundësi që çdo shqiptar të ketë shanset të gëzojë punën dhe talentin e tij; të krijojmë një shoqëri të drejtë për të gjithë”.

Kjo, sipas tij, “është një sfidë e madhe që na takon të gjithëve, para së gjithash ne politikanëve. Për këto sfida ne kemi filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës. Ky është i vetmi dialog që ndryshon Shqipërinë dhe i vetmi dialog ku unë do të jem pjesë”.

“Qëndrimi im i prerë dhe i palëkundur është se Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga Kryeministër, sepse ai është shkatërrues i zgjedhjeve të lira dhe dhunues i vullnetit të popullit. Ndryshimi i madh që duam të gjithë, standardet evropiane në Shqipërinë tonë mund të arrihen vetëm nga një pushtet që buron nga vota e lirë e qytetarëve dhe ushtrohet në emër të tyre. Prandaj, ju ftoj që të bashkohemi të gjithë në protestat tona për largimin e tij, dhe në dialogun kombëtar për ndryshimin e vërtetë që duhet të sjellim për garantuar të ardhmen Evropiane të Shqipërisë”, deklaron Basha.