Avokati i Popullit: E përkeqësuar situata e fëmijëve në rrugë, institucionet të bëjnë më shumë

Avokati i Popullit: E përkeqësuar situata e fëmijëve në rrugë, institucionet të bëjnë më shumë

23 May 2019 15:40

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore sot, publikoi Raportin me Rekomandime Ex officio nr. 514/2016, që ka të bëjë me çështjen e fëmijëve në situatë rruge, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Rasti është hapur sipas detyrës zyrtare me qëllim të vlerësimit të dukurisë së fëmijëve në situatë rruge, identifikimin e shkeljeve të të drejtave të tyre, si dhe tërheqjen e vëmendjes institucioneve përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, transmeton Koha.net.

Avokati i Popullit nga rishikimi i dokumenteve përkatëse ligjore, informatave dhe të dhënave me të cilat posedon, vëren se përkundër përpjekjeve të bërë për të mbrojtur dhe ndihmuar fëmijët në situatë rruge përgjatë viteve, gjendja nuk ka shënuar përmirësime të dukshme. Për më tepër, tani më shumë se kurrë në rrugë shohim fëmijë, përveç tjerash, duke pastruar xhamat e automjeteve, duke shitur gjësende të imta, duke kërkuar lëmoshë apo nëpër kontejnerë.

Ata jetojnë në kushte jo te mira fizike, sociale, psikologjike, përballen me mungesë të ushqimit, veshmbathjes, pa kujdesin e duhur higjienik dhe shëndetësor. Ata e kanë të pamundur të ndjekin shkollën dhe me vetë faktin se gjenden në rrugë, janë të pambrojtur dhe në rrezik të përhershëm për abuzim dhe shfrytëzim.

Avokati i Popullit, vëren se situata aktuale e fëmijëve në situate rruge në Kosovë përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut, në këtë rast të të drejtave të fëmijëve, përkatësisht shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit përkatës në fuqi.

Avokati i Popullit konsideron se institucionet e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë për ta parandaluar, trajtuar dhe adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge, me që gjatë viteve ky fenomen nuk ka pësuar rënie.

Në bazë të analizës, vlerësimeve dhe konstatimeve, Avokati i Popullit në raportin e publikuar i rekomandon Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive ligjore të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar, trajtuar dhe për ta adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge.

Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb-faqen zyrtare të Institucionit të Avokatit të Popullit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme