Arbëri

20 vjetori i masakrës së Dubravës, i mbijetuari largohet me forcë nga tubimi

Descriptive Text

Në 20-vjetorin e masakrës që forcat serbe orkestruan ndaj të burgosurve në burgun e Dubravës, situata eskaloi kur i mbijetuari i kësaj masakre, Shefqet Kabashi doli para të pranishmëve dhe iu drejtua krerëve të institucioneve se ata nuk meritojnë të jenë prezentë në këtë manifestim.

Derisa moderatorja e programit mundohej ta mbante situatën nën kontroll, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu drejtua disa të mbijetuarve të masakrës së Dubravës, duke i përmendur edhe me emra, si Hajredin Kuçin e Nait Hasanin, të cilët sipas tij, e kanë quajtur tradhtar.

“Marre duhet me ju ardh, ju nuk duhet me qenë këtu. Mua këta më thonë tradhtar, qyky Kuçi e qyky Njazia e qyky Naiti me shokët e vet, unë nuk jam tradhtar, unë jam luftëtar i lirisë. Na keni marrë bukën, duam shtet demokratik, e jo komunist”, tha ai, raporton Kosovapress.

Ndërsa, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi ishte i pari i cili tentoi ta pengojë Kabashin madje me forcë u mundua ta largojë, duke i thënë se ka kush vendos rend këtu.

“Ka kush vendos rend këtu, nëse nuk tërhiqesh, me forcë të largoj, hiqe këndej, qiteni jashtë”, tha ai.

E duke u larguar nga ambientet e burgut të Dubravës, Kabashi, i shoqëruar nga policët, me zë të lartë thoshte se ‘ju na keni bërë më zi se serbët’.

“Unë ha shqip, ju na keni bë ma zi se shkijet”, tha Kabashi, duke iu referuar serbëve me termin pezhorativ “shkije”.

Të pranishëm në këtë manifestim ku po përkujtoheshin të rënët e masakrës në burgun e Dubravës ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shumë të mbijetuar të kësaj masakre, të cilët kërkuan që ata që e kryen këtë krim të dënohen, pasi autorët e kësaj masakre thanë se dihen.

Në masakrën e Dubravës, nga data 19 maj e deri 24 maj 1999, u vranë mbi 160 të burgosur ndërsa masakrës i mbijetuan mbi 300 të tjerë.

Ndryshe, Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për “refuzim të qëllimshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve”.

Kabashi kishte refuzuar të dëshmojë kundër Haradinajt në procesin e kaluar gjyqësor, kur kryeministri i Kosovës u shpall i pafajshëm.