Arbëri

SBASHK-u ankohet në Apel për kompensimin e orëve, paralajmërojnë ankesë edhe në Bruksel

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Derisa Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës ka zgjedhur të mos përfill vendimin e Gjykatës Themelore për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës 3 javore, përfaqësues të kësaj Sindikate kanë dorëzuar sot lëndën në Gjykatën e Apelit.

Të pakënaqur me vendimin e të parës, sindikalistët i kanë vënë shpresat tek Apeli.

Me këtë rast, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se nga kjo gjykatë presin që të marrë vendimin e duhur, duke mos u mohuar mësimdhënësve dhe sindikatave të drejtën e tyre për grevë.

Jasharaj thotë se derisa Gjykata e Apelit nuk do të dalë me një vendim përmes së cilit hedh poshtë vendimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, SBAShK nuk do ta zmbrapset për asnjë moment.

Teksa shprehet i bindur se çfarëdo vendimi i marrë aty nuk do të zmbraps sindikatën, e cila në rast nevoje do t’i drejtohet edhe selisë së Unionit të Sindikatave të Evropës, që ndodhet në Bruksel.

Në një intervistë për KosovaPress, Jasharaj e quan të ndikuar emocionalisht dhe politikisht vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.

“Ne do të vazhdojmë me betejën me gjykatat, uroj që gjykata të vendosë drejt, nëse jo, ne do të veprojmë gjersa të harxhohet instanca e fundit dhe në materialin që po e përgatisim ne, do ta njoftojmë edhe Brukselin ku është edhe selia e Unionit të sindikatave të Evropës, që ata ta analizojnë me ekspertët e tyre, që do të kërkojnë mbështetjen e tyre, madje në ndonjë gjykatë të tyre. Sepse po e them, nuk është çështja tek orët, sepse orët po dihet se nuk po mbahen, edhe atje ku janë mbajtur janë mbajtur sa për t’u thënë, por është një betejë e sindikatës tonë edhe për sindikatat tjera për të mbrojtur forcën e grevës”, tha Jasharaj.

Ndonëse në një intervistë dhënë më parë për KosovaPress kishte deklaruar se do të zbatojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Jasharaj kësaj radhe tregon se pse nuk përfillën vendimin e kësaj të fundit. Teksa shton se sikur kjo Gjykatë të sillte një vendim të bazuar në ligje, do të pranonin vendimin e kësaj të fundit për kompensim të orëve.

Thotë se në mungesë profesionalizmi në fushën e drejtësisë, nuk e ka ditur se si shkojnë shkallët e sistemit të drejtësisë.

“Pasi që kemi bërë analizën e materialit që e ka kthyer (Gjykata Themelore), jemi shumë të pakënaqur... Ne kemi kërkuar nga Gjykata të thotë se vendimi i ministrit është apo jo i bazuar në ligj. Dhe, ne e dimë që nuk ëhstë i bazuar në ligj, por është i bazuar në disa udhëzime. Ajo që na bëri të vazhdojmë betejën me gjykatat, është se Gjykata Themelore në Prishtinë thirret në udhëzimin administrativ të kohës së UNMIK-ut, 44/2005, i cili ka të bëjë me ligjin e atëhershëm të inspektorëve dhe të arsimit në kohën e UNMIK-ut, ligj i cili është zhvlerësuar nga institucionet e Republikës të Kosovës me ligjin për inspektorët dhe me ligjin për arsimin parauniversitar”, tha Jasharaj.

Madje, ai thotë se vendimi i Themelores ishte i bazuar në emocione dhe nën ndikimin e seancës së jashtëzakonshme që ishte mbajtur lidhur me zëvendësimin e orëve.

“Konsiderojmë që ka qenë edhe vendim me emocione, madje pse jo si kryetar besoj se ka ndikuar edhe debati që u zhvillua në Parlamentin e Kosovës, ëprorët, një debat mjaft i ulët në disa momente, mjaft fyes. Dhe, unë konsideroj se te gjykatësja ka ndikuar edhe seanca e Kuvendit dhe emocionet, ngase në shkresën e gjykatëses thuhet se: ‘është mirë që të mbahen orët për hir të nxënësve, për hir të interesit’”, u shpreh ai.

Jasharajt thotë se praktika e kompensimit të orëve duhet ndërprerë, pasi që humbet kuptimi i grevave. Pasi, sipas tij, sikur të mos mbrohet greva e mësimdhënësve, do të ketë efekt negativ edhe për sindikatat tjera.

Teksa përsërit se nëse do të ketë barazim të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit të ulët me ata të ciklit të klasave 6-9, për hir të solidaritetit me ta do të kompensojnë orët e humbura gjatë grevës.

E krejt kjo, thotë se nuk nënkupton prioritizim të mësimdhënësve përballë nxënësve.