Masakra e Dubravës, i mbijetuari Nait Hasani thotë se asnjë Qeveri nuk kërkoi zbardhjen e saj Foto: AP

Kuvendi kërkon drejtësi për Masakrën në burgun e Dubravës

Dardane Neziri 21 May 2019 11:46
13:05

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar drejtësi për Masakrën në burgun e Dubravës, në seancën e veçantë për përkujtimin e 20-vjetorit të kësaj masakre.

20-vjet pas kësaj masakre, deputetët kujtuan se askush nuk është dënuar për krimet e bëra, ndërsa kërkuan drejtësi për vrasjen e rreth 160 personave e plagosjen e 300 të tjerëve nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

12:42

Veseli: Tani është koha që të drejtojmë gishtin kah Serbia e të kërkojmë drejtësi

Image

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se familjarët e viktimave me të drejte mund të jenë të hidhëruar se përse nuk po zbardhet fati i masakrave dhe krimeve në përgjithësi.

“A është e nevojshme që shteti i Kosovës vetëm të vajtojë apo të japë një mesazh se ne nuk vajtojmë, por veprojmë institucionalisht? Ne mund të dëmtojmë njeri-tjetrin se kjo është pjesa më e lehtë, por deri më 2015 fotografitë e vëna nga familjarët para Kuvendin kanë qëndruar kot dhe Kuvendi as që është marrë me to. Tani është koha ta drejtojmë gishtin kah Serbia dhe të kërkojmë drejtësi”, ka thënë ai.

12:19

Sherifi: Për të ndjekur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve kurrë s’është vonë

Image

Në emër të Nismës Socialdemokrate ka folur shefi i Grupit Parlamentar, Bilall Sherifi, duke thënë se një nga provat e gjenocidit serb është masakra e Dubravës.

“Dëshmitarë të asaj masakre janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. I lus kolegët nga politika, ta kenë parasysh se këtu me nuk ka vend për kritika. Ne jemi vonuar, por nuk është vonë. Asnjëherë nuk bëhet vonë për ndjekjen e krimeve. Bile, për dënimin e gjenocidit pikërisht tani është koha”, ka theksuar ai.

12:15

LDK-ja kërkon drejtësi për masakrën e Dubravës

Image

Në emër të LDK-së, ka folur deputetja Mirjeta Kalludra. Ka thënë se tani institucionet e drejtësisë duhet ta zbardhin këtë rast.

“Masakra e Dubravës mbetet një akt i rëndë, tipik për një aparat shtetëror kriminal. Në emër të LDK-së shprehim solidaritetin me familjet e të rënëve dhe kërkojmë që drejtësia të vihet në vend”, ka shtuar ajo.

12:12

Selmanaj: Bashkësia ndërkombëtare, ose t’i ndëshkojë ose t’i shpallë heronj kriminelët e Serbisë

Image

I mbijetuari tjetër i kësaj masakre është edhe deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj. Edhe ai ka thënë se kjo masakër është kryer me urdhër të qeverisë se Serbisë.

“Masakra në Dubravë në rend të parë paraqet krim kundër njerëzimit. Por, moszbardhja e këtij rasti është dëshpëruese. Tani, kriminelët e Serbisë, bashkësia ndërkombëtare, ose t’i ndëshkojë, ose t’i shpallë heronj”, ka shtuar ai.

Ai ka rrëfyer gjithë ngjarjen e përjetuar gjatë periudhës kur u ndërmor masakra e Dubravës.

11:56

Aliu: Masakra e Dubravës, përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit të Serbisë

Image

I mbijetuari tjetër i masakrës së Dubravës, deputeti i VV-së, Liburn Aliu, ka thënë se kjo masakër nuk dallon nga tmerret dhe mizoritë e masakrave tjera.

“Të veçantë e bën mënyra se si ndodhi ajo. Ndaj të burgosurve të mbyllur brenda mureve. U goditen nga të katër anët. Ata nuk kishin mundësi lëvizjeje. Kudo që përpiqeshe të fshiheshe, ka qenë e pamundur të ikje”, ka rrëfyer ai, raporton “Koha Ditore”.

Aliu ka thënë se nëse Serbia për masakra të shumta në Kosovë përpiqet të thotë se nuk ka pasur kontroll mbi to, “masakra e Dubravës është drejtpërdrejt përgjegjësi e saj”.

Deputeti Aliu ka thënë se është e pakuptimtë që drejtësia kosovare dhe as ajo ndërkombëtare nuk e zbardhen fatin e kësaj masakre.

“Serbia trilloi dhe hartoi padi ndaj nesh. Neve nuk na arsyeton fakti që përgjatë këtyre viteve nuk e kryem punën tonë. Në këtë aspekt nuk guxojmë të vazhdojmë më me heshtje”, ka shtuar ai.

11:46

Masakra e Dubravës, i mbijetuari Nait Hasani thotë se asnjë Qeveri nuk kërkoi zbardhjen e saj

Image

Në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës rreth masakrës në burgun e Dubravës, njëri nga të mbijetuarit, njëherësh deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb.

Ka thënë se këtë e dëshmon fakti që të burgosurit i kanë mbledhur nga burgjet e tjera dhe i kanë sjellë në Dubravë.

“Aty ishim mbi 960 të burgosur. Pikërisht në këtë ditë nga bombardimet e NATO-s u vranë mbi 20 të burgosur. Pastaj, serbët masakruan mbi 120 shqiptarë. Një masakër që as në skenarët më të tmerrshëm nuk do të mund ta gjeni. Ajo nuk mund të ketë krahasim as me Srebrenicën. Ishte një gjenocid”, ka thënë Hasani, raporton “Koha Ditore”.

Ka shtuar se aty ka qenë edhe Ukshin Hoti dhe se prej se e patën marrë nga burgu, nuk dihet për fatin e tij.

Hasani ka thënë se deri më tani asnjë qeveri e Kosovës nuk ka kërkuar zbardhjen e kësaj masakre.

“Me të nuk është marrë as Prokuroria e Pejës prej se e kemi bërë kallëzimin penal qe 12 vjet. Ne tani kërkojmë të dimë se përse u hesht ky kallëzim, përse nuk ka aktakuzë? Dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Hasani ka prezantuar edhe fotografi të mbledhura pas masakrës. Ka thënë se ka prova të mjaftueshme.

“Kujt i ka interesuar kjo heshtje? Përse ky krim ka mbetur pa u dënuar? Pse kryeprokurori i Pejës nuk po bën asgjë?”, ka pyetur ai.

Hasani ka thënë se prokuroria, me sa duket ka heshtur me “sugjerimin e ndërkombëtarëve”.

Ka propozuar që në fund të debatit, Kuvendi të kërkojë nga organet e drejtësisë, që të ngrihet aktakuzë për kriminelët serbë.

“Ne i kemi prezantuar me emra dhe mbiemra se kush janë ata kriminelë”, ka thënë Hasani.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

arkitekt22/05/2019 10:19

Kadri veseli: Tani eshte koha ta drejtojme gishtin nga Serbia e te kerkojme drejtesi - A thu para 20 vjeteve apo 10 vjeteve nuk ka qene koha???

Shto koment

Të ngjashme