Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se sot është koha që të gjithë pa dallime politike, institucione dhe shoqëri të bashkohen në dënimin e gjenocidit të Serbisë dhe askush të mos bëhet pjesë e mohimit të krimeve.
Thaçi i bëri këto komente në akademinë përkujtimore për Enver Topallin, ku njoftoi se si president i vendit ka marrë vendim që Enver Topalli të nderohet hero i Kosovës në 20 vjetorin e rënies së tij.
Sipas tij, fatkeqësisht më 19 maj 1999, Enver Topalli vritet në burgun e Dubravës.
“Sot duke kujtuar Enver Topallin kujtojmë të gjithë të burgosurit që u vranë, u plagosën dhe u keqtrajtuan në burgun e Dubravës. Krimi i kryer në Dubravë hynë në radhën e akteve më të rënda që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë gjatë vitit 1999 por edhe më herët. Kemi parë këto ditë në Kosovë si po kujtohen krimet, masakrat, djegiet, aktet e shfarosjes dhe spastrimit etnik, deri në përmasat e gjenocidit serb por askush edhe pas 20 vjetëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtyre krimeve nuk doli para drejtësisë ndërkombëtare apo vendore, prandaj me të drejt Kuvendi i Kosovës ditë më parë me të drejt nxorri rezolutën që dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kjo ishte përgjigja më e mirë e institucioneve të Republikës së Kosovës për pretenduesit e mohimeve të krimeve dhe gjenocidit që ka kryer direkt shteti i Serbisë, prandaj sot përsëri është koha që të gjithë pa dallime , si politikë, institucione, shoqëri të jemi të bashkuar në dënimin e gjenocidit të Serbisë dhe askush të mos bëhet pjesë e këtij dënimi apo mohimi të krimeve“, tha Thaçi.
Thaçi njoftoi edhe për vendimin që ka marrë për atdhetarin Enver Topalli.
“Duke marrë parasysh kontributin e madh dhe të vazhdueshëm të veprimtarit, atdhetarit Enver Topalli, idealit për të cilin u burgos, qëndresën dhe sakrificën e tij, si president i vendit kam marrë vendim që Enver Topalli të nderohet heroi i Kosovës në 20 vjetorin e rënies së tij“, tha ai.
Erlind Topalli, djali i heroit Enver Topalli, tha se krenaria e familjes është edhe krenaria e shokëve dhe bashkëluftëtarëve.
“Ne babanë tonë e njohëm vetëm si prind, ndërsa, të gjithë ju e kishit njohur më shumë, si veprimtar të paepur të çështjes kombëtare. Zëri i babë Enverit ishte i lartë e i pa kursyer që ishte gjallë sikundër edhe tani jehona e frymës dhe emrit të tij. I dashur baba, i bekuar për atdheun, në mes ne dhe këtij t’i zgjodhe atdheun që ne të gëzojmë lirinë, sepse vet e ke thënë portreti im, është portreti i atdheut”, tha ai.
Kurse, Ram Buja në fjalën tematike në këtë akademi, dha një biografi të gjerë të Enver Topallit, që nga fëmijëria, duke thënë se tërë jetën e tij e pati në shërbim të atdheut.
“Enveri me shok nuk rreshti për asnjë çast për të ardhur tek dita dhe ora e UÇK-së dhe për habi, ditën kur ai vendosi të bashkëngjitet edhe fizikisht ndaj kësaj strukture luftarake për të cilën kishte punuar aq shumë, arrestohet nga policia armike për të mos u kthyer më në mesin e popullit të tij, njerëzit e tij të familjes, shokët e tij aktiv të vdekshëm e të pa vdekshëm, ai kësaj radhe zgjodhi këta të dytët, të pavdekshmit, të përjetësuarit, prometët e kombit dhe atdheut“, tha ai.
Rama tha se Enveri u përjetësua me vulën e lirisë./KsP/