Arbëri

Salihu: Mbyllja e Institutit për Krimet e Luftës i papranueshëm, publikimi i fotografisë nga Brovina, skandal

Profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu, mbylljen e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës e ka quajtur të papranueshëm.

Ai në “Express Intervista” në KTV, ka thënë se shkrirja e këtij Instituti në Departamentin e Drejtësisë Tranzicionale është bërë vetëm që ky institut të mbyllet.

Ai thotë se askush nuk e kishte kontaktuar atë për ta njoftuar se ky Institut do të mbyllet duke shtuar se gjatë punës së tyre nuk i kishin lejuar as të hulumtonin duke u thirrur në mungesë të buxhetit.

“Askush nuk më ka kontaktuar mua për mbylljen e Institutit. As ministri aktual nuk ka bërë asgjë, e çka është më e keqja nuk na lanë as të bëjmë hulumtime. Ne nuk arritëm të regjistrojmë krimet sepse nuk na lanë të dërgojmë hulumtues në terren me arsyen se nuk ka mjete. U vendos që në kuadër të reformimit, ky institut të shndërrohet në Departament për Drejtësinë Tranzicionale, ku do të punojnë gjashtë persona, tre në krimet e luftës dhe tre për krime të përditshme. Në atë departament askush asgjë nuk po bënë por ka qenë vetëm arsye me e mbyllë Institutin”, ka thënë ai.

Ai thotë se puna e Institutit është ruajtur në arkiva mirëpo me tre prokurorë sipas tij nuk mund të zbardhen të gjitha rastet.

“Nuk ka shkuar dëm e gjithë puna jonë sepse ne i kemi ruajtur arkivat, mirëpo me tre prokurorë mendoj që nuk mund të zbardhen të gjitha rastet. Unë në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentari Veseli kam kërkuar që urgjentisht të hapet instituti”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës ishte themeluar në qershor të 2010-ës dhe është mbyllur në korrik të vitit 2018.

Ndërkaq nismën e kryeparlamentarit Kadri Veseli, për themelimin e Tribunalit, Salihu e ka quajtur qëllimi mirë ani pse thotë se është vonuar.

“Nisma është qëllim mirë sa do që të jetë e vonë. Urgjentisht duhet të themelohet një Institut për Krimet e Luftës ku duhet të punësohen ekspert të pavarur. Unë e kam thënë se kjo punë me dy-tre prokurorë nuk mund të kryhet. Kemi shtatë regjione dhe së paku në secilën duhet të jenë nga dy prokurorë me grupin e tyre hetues”, ka shtuar ai.

Salihu ka thënë se Kosova ka kapacitete për të zbardhur krimet e luftës dhe se iniciativa e Veselit për Tribunal duhet të përkrahet.

E, fotografinë e publikuar dje nga deputetja Flora Brovina ai e ka quajtur skandal.

Ai thotë se Instituti gjatë punës së tij ka gjetur prova për dhunime e abortime të grave të dhunuara mirëpo asnjëherë nuk i kanë bërë publike me qëllim të ruajtës së viktimave.

“Ne kemi pasë fotografi dhe të dhëna por i kemi ruajtur maksimalisht. Neve na kanë treguar edhe në Shqipëri për gratë e dhunuara të cilat sapo kanë dalë andej kanë abortuar pasi kishin mbetur shtatzëna nga dhunimet. Vetëm në Kukës kemi marrë 40 emra të grave të cilat kanë abortuar. Ka informacione që edhe në Tiranë edhe në Maqedoni e vendet tjera ka pasur raste tilla. Tash këto të dhëna i ka Ministria e Drejtësisë”, ka përfunduar ai.