Arbëri

Kroacia, e palëkundur për vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën ndërmjet dy gjykatave kushtetuese

Descriptive Text

Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, në krye me kryetarin e kësaj gjykate, Miroslav Sheparoviq, qëndroi për vizitë pune në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ku u takuan me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi dhe zëvendëskryetarin e Gjykatës, Bajram Ljatifi.

Në takim, Rama-Hajrizi i informoi mysafirët me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me procesin e ripërtëritjes së përbërjes së gjyqtarëve kushtetues vitin e kaluar, si dhe me sfidat e tejkaluara me sukses pas zëvendësimit të ish-gjyqtarëve ndërkombëtarë me gjyqtarë vendor.

Ajo u zotua për intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave homologe, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe harmonizimit të praktikës gjyqësore me atë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sheparoviq bëri një përshkrim të përgjithshëm të funksionimit të gjyqësorit kushtetues në Kroaci dhe konfirmoi vullnetin e palëkundur për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet dy gjykatave në të gjitha fushat me interes reciprok.

Pas takimit, gjyqtarët e të dy gjykatave kushtetuese mbajtën një punëtori të përbashkët në temat: “Kompetenca e gjykatës kushtetuese përkitazi me shqyrtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, “Marrëveshjet kolektive para Gjykatës Kushtetuese” dhe “Mosmarrëveshjet zgjedhore nga perspektiva e gjykimit kushtetues”.