Arbëri

Shqipëria krijon Bursën e vet të Energjisë

Descriptive Text

Tiranë, 16 maj - Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë bën me dije se Qeveria e Shqipërisë me qëllim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike dhe në përputhje me direktivat evropiane për sektorin e energjisë për instalimin e modelit të ri të tregut të energjisë elektrike, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e datës 15 maj 2019 krijimin për herë të parë në Shqipëri të “Bursës Shqiptare të Energjisë”. Bursa, si instrumenti më i rëndësishëm i këtij tregu, do të operojë dhe do të organizohet në bazë të një platforme elektronike të tregut të ditës në avancë (day-ahead) dhe të tregut të së njëjtës ditë (intraday).

Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë shënon një standard të ri të operimit dhe transparencës së këtij sektori dhe do të jetë një nxitje për hapjen dhe derregullimin e tregut të energjisë elektrike, që në vetvete do të inkurajojë instalimin e burimeve të reja elektroenergjitike në vend, rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, integrimin rajonal dhe më gjerë të këtij tregu, rritjen e investimeve në sektor, më shumë transparencë financiare, si dhe standarde të reja përgjegjësie juridike dhe tregtare, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Operatori i Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), do të veprojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga shoqëria "Operatori i Sistemit të Transmetimit" Sh.a.

Ky operator ka për synim mbulimin rajonal të tregtisë së energjisë elektrike dhe mirëpret pjesëmarrje në kapital të atyre operatorëve të sistemit të transmetimit të vendeve me të cilat Shqipëria ka memorandume mirëkuptimi dhe aktivitet tregtar të qëndrueshëm në këtë sektor. Kjo qasje reflektohet edhe në kriteret e vendosura për përzgjedhjen e aksionerëve të mundshëm.

Sipas këtij vendimi, shoqëria e cila do të operojë bursën e energjisë do të themelohet nga OST.

Standardet e imponuara prej themelimit dhe operimit të Bursës Shqiptare të Energjisë, do të ndikojnë direkt dhe indirekt në rritjen e performancës financiare të sistemit dhe tregut elektroenergjitik në Shqipëri.