Është miratuar lista shtesë e dëshmitarëve të cilët do të thirren në intervistim para Komisionit parlamentar hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala.
Në këtë mbledhje të Komisionit, u pa shqetësuese se si media dhe organizata përfituan miliona euro nga PTK-ja, përkundër faktit se ishin fiktive, raporton KTV.
Kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri, ka kërkuar që të thirren të gjithë drejtorët e kompanive të kontratave që po hetohen nga ky komision.
Këtu u kërkua që të intervistohen edhe ish-kryeshefat e Telekomit si dhe zyrtarët që udhëhiqnin Burimet Njerëzore në Telekom.
Ndërsa, u kërkua që të shqyrtohen edhe kontratat mbi vendosjen e antenave të PTK-së.
Si dëshmitarë-ekspertë janë propozuar Naim Maloku, Ismet Hamiti dhe Agron Dida.
Komisioni vendosi, po ashtu, që dëshmitar i proceseve në PTK të jetë edhe Lamih Balaj, kryetar i sindikatës në këtë kompani.
Ndërsa, Komisioni ka vazhduar mbledhjen pa media, për diskutimin e angazhimit të ekspertëve për lëndët që janë nën hetim.