Arbëri

Kosova bëri 31 shkelje ligjesh e konventash kur dëboi 6 shtetas turq

Kushtetuta e vendit, ligje e konventa të të drejtave të njeriut, por edhe një varg shkeljesh procedurale ishin bërë për një qëllim: dëbimin e 6 shtetasve turq ngaqë i kërkonte shteti i Turqisë.

Komisioni parlamentar që hetoi këtë rast, ka nxjerrë raportin në të cilin janë evidentuar hiç më pak se 31 shkelje.

Shkelja e parë, sipas komisionit, është bërë nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, që kishte revokuar lejet e tyre të qëndrimit pa i kontestuar informacionet e AKI-së, raporton KTV.

Dy shkeljet pasuese lidhen me dëbimin e gabuar të Hasan Gunakanit, dhe faktin që asnjëherë nuk ishte kërkuar kthimi i tij, derisa shkelja e katërt konstaton se zyrtarët e AKI-së që kishin marrë pjesë në operacion, kishin tejkaluar fushëveprimin e tyre.
 

Një çështje për të cilën kanë mbetur pa përgjigje, është ajo nëse presidenti Thaçi kishte njohuri për dëbimin e shtetasve turq apo jo.

Megjithatë, për rolin dhe përgjegjësinë e Thaçit në këtë rast, kanë folur dy deputetë, anëtarë të komisionit, derisa kanë rikujtuar edhe shmangien që bëri presidenti gjatë dëshmisë së tij.

Anëtarët e komisionit kanë rekomanduar ndryshim-plotësimin e disa ligjeve, por edhe një ligj krejtësisht të ri, që do t’i përcaktonte rrethanat në të cilat krerët e shtetit do të informoheshin nga institucionet e sigurisë për veprimtarinë dhe informacionet e rëndësishme.