Arbëri

Shoqëria civile thotë se mbi 20 milionë euro janë shpenzuar vetëm për këshilltarë të projektit “Kosova e Re”

Shoqëria civile thotë se mbi 20 milionë euro janë shpenzuar vetëm për këshilltarë të projektit “Kosova e Re”

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të kampanjës, #mosthujsekamdite, njoftojnë opinionin për shumën e mjeteve të shpenzuara, deri më tani, vetëm për këshilltarë të projektit “Kosova e Re”.

“Këtë muaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka shpallur tender me vlerë referenciale prej 4 milionë euro për blerjen e shërbimeve të konsulencës për projektin e “Kosova e Re”. Me këtë tender, shpenzimet për këshilltarë të projektit “Kosova e Re” do të arrijnë mbi 20 milionë euro. Në vitin 2006, Banka Botërore për herë të parë ka angazhuar këshilltarë të transaksionit, ku deri më 2011 u shpenzuan 16,4 milionë dollarë (12 milionë euro, sipas mesatares së këmbimit të valutës për periudhën 2006-2011), prej të cilave 5,5 milionë dollarë (4 milionë euro) janë mbuluar nga Buxheti i Kosovës”, thuhet në komunikatë.