Arbëri

OVL të UÇK-së kërkojnë që Prokuroritë e Kosovës të deponojnë publikisht dosjet e krimeve serbe

Foto: Koha / ilustrim

Organizata e Veteranëve të Luftës i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë në mbledhjen dhe faktimin e masakrave serbe gjatë kohës së luftës.

Ajo në një letër publike kërkon krijimin e mekanizmave përmes institucioneve ndërkombëtare apo përmes shteteve mike për padi për gjenocid të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

“Të kërkohet nga OKB, në veçanti nga SHBA dhe shtetet e BE-së ta krijojnë një tribunal për krimet serbe në Kosovë. E ashtuquajtura gjykata speciale duhet të përfshijë edhe krimet serbe, duke u amandamentuar ligji ose të vihet kusht nga institucionet e Kosovës që të mos funksionoj njëanshëm. Të angazhohen ekspert për mbledhjen dhe faktimin e krimeve serbe në Kosovë. Të gjithë të mbijetuarit të ofrojnë fakte dhe dëshmi për krimet serbe dhe t’i deponojnë në Prokuroritë e Kosovës derisa të themelohet Tribunali për krimet serbe. Prokuroritë e Kosovës të dëshmojnë dhe deponojnë publikisht dosjet e krimeve serbe në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës të ndajë buxhet shtesë për këtë qëllim”, thuhet në letër, shkruan ksp.

Organizata e Veteranëve të Luftës paralajmëron se nuk mund të ketë pajtim pa njohjen e Kosovës nga Serbia, pa ndëshkimin e Serbisë për gjenocid nga Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, pa pranimin nga shteti serb për krimet serbe në Kosovë, pa kërkim-falje nga shteti serb, pa ndëshkim të kriminelëve serbë që kryen masakra dhe pa kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia.

“Këto kërkesa tona janë plotësisht të drejta dhe sipas kritereve të botës demokratike. Çdo qasje tjetër shton dhimbjet e secilit qytetar të Kosovës dhe dëmton rëndë të drejtën për drejtësi dhe ndërtimin e paqes në të ardhmen. Presim që institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë të marrin veprime konkrete në këtë drejtim për çka shoqatat janë të gatshme të japin kontributin e tyre”, përfundon letra e OVL e UÇK-së.