Qytetarët e Serbisë nuk janë optimistë kur bëhet fjalë për, siç e quajnë medie serbe, zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por ata nuk presin që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ta nënshkruajë njohjen e Kosovës, thotë hulumtimi i fundit që e ka bërë agjencia Faktor plus, transmeton koha.net.
Në pyetjen "a mendoni se presidenti i ose kryeministrja e Serbisë do ta nënshkruajnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, 78 për qind e të pyeturve është përgjigjur negativisht, vetëm 15 për qind mendojnë se kjo do të ndodhë, ndërsa 7 për qind nuk ka qëndrim të vetin rreth saj.
Hulumtimi është bërë disa ditë para se presidenti serb Aleksandar Vuçiq të deklaronte se nuk do ta nënshkruajë pavarësinë e Kosovës.
Në pyetjen se cila zgjidhje për Kosovën është më e mira nga pikëpamja e Serbisë dhe qytetarë të saj, 50 për qind e të pyeturve është përgjigjur të jetë “konflikti i ngrirë", 32 për qind e tyre mendon se ajo do të ishte marrëveshja për korrigjim kufijsh ndërmjet dy vendeve, ndërsa 8 për qind thotë se marrëveshja më e mirë është njohja e pavarësisë së Kosovës.
Kur bëhet fjalë për emocionet për Kosovën, te 61 për qind e të pyeturve dominon pikëllimi, te 46 për qind shpresa e te 31 për qind e tyre zemërimi .
Edhe
Më shumë serbë mendojnë se Serbia do ta njohë Kosovën
Qytetarët në këtë hulumtim nuk kanë qenë shumë optimistë për afatin kohor të arritjes së marrëveshjes për Kosovën.
Pothuajse gjysma e të pyeturve (47 për qind ) mendon se ajo nuk do të ndodhë brenda 5 ose 10 vjetëve të ardhshëm, 22 për qind pret të zgjidhet gjatë një ose dy vjetëve të ardhshëm, ndërsa 14 për qind e tyre mendon se zgjidhja do të arrihet brenda këtij viti.