Arbëri

Kurti: Me ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka rikujtuar letrën që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar presidentit amerikan, Donald Trump, ku kishte thënë se është “i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme për marrëveshje me Serbinë”.

Kurti, duke ia kujtuar këto paragrafe Thaçit, thotë se e sabotoi vetveten me ekstremizmin që ai ka.

“Si e sabotoi Presidenti vetveten Katër muaj u bënë sot nga letra të cilën Presidenti i Kosovës ia dërgoi Presidentit të ShBA-ve, z. Donald Trump. Paragrafi 3 ishte interesant aty, andaj le ta përkujtojmë: “Më lejoni t’ju siguroj personalisht se si President i Kosovës unë do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar…””, shkruan Kurti.

Lexo edhe këtë: Thaçi i shkruan Trumpit, “i gatshëm të bëjë kompromiset e nevojshme për marrëveshje me Serbinë”

Kurti thotë se dialog s’mund të ketë me dëshirë e gatishmëri siç ka Thaçi për të kapitulluar shtetin.

“Pra, edhe i gatshëm edhe i vullnetshëm për kompromiset e nevojshme! Jo vetëm i gatshëm, por edhe i vullnetshëm. Jo ndonjë kompromis, por kompromiset e nevojshme. Me këso gatishmërie e dëshire nuk mund të ketë dialog e marrëveshje, por veçse pazar (personal) për kapitullim (shteti). Kur je tepër fleksibil karshi Serbisë, kjo tashmë nuk paraqet më fleksibilitet, por nënshtrim e dorëzim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë dialog me këso gatishmërie e vullneti paraprak për kompromiset e nevojshme. Dialog nuk mund të bëjnë ekstremistët. Dhe, ekstremist nuk është vetëm ai që a priori nuk do dialog, por edhe ai që a priori do marrëveshje. Pra, ekstremist është pikërisht ai që pranon gjithçka duke kërcyer te ujdia pa negociata fare. Me këtë ekstremizmin e tij, Presidenti i Kosovës sabotoi vetveten. Sepse me servilizëm kaq të sforcuar s’mund t’i pëlqesh dot askujt”, shkruan tutje Kurti.

Tutje, Kurti thotë se “Megjithkëtë Presidenti ka dashur të na e bashkojë Luginën me Kosovën? E kam dëgjuar në konferenca shtypi në Prishtinë, nuk e pashë në këtë letrën e 8 janarit që ia nisi Presidentit Trump në Washington D.C”.