Arbëri

Juristët vlerësojnë ligjërisht të pamundur krijimin e Tribunalit për krimet serbe

Juristët po e vlerësojnë ligjërisht të pamundur formimin e një Tribunali Ndërkombëtar për hetimin e krimeve gjatë luftës në Kosovë. Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se me këtë iniciativë, vetëm po manipulohen familjarët e viktimave të luftës dhe dyshojnë nëse do të përkrahet në OKB. Megjithatë, nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit thonë se në këtë proces nuk do të dorëzohen karshi pengesave.

Përveç që u konsiderua e vonshme, iniciativa për formimin e një Tribunali Ndërkombëtar për hetimin e krimeve të kryera në Kosovë nga shteti serb po shihet si mision i pamundur, raporton KTV.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke marrë shembull që formimi i një Tribunali ndodh nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, thotë se me këtë iniciativë vetëm po manipulohen familjarët e viktimave të luftës.

Përfaqësues nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë janë skeptikë nëse ndërkombëtarët do të mbështesnin formimin e një Tribunali që do të merrej ekskluzivisht me gjykimin e serbëve.

Ata thonë se institucionet vendore nuk kanë punuar mjaftueshëm në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në hetimin e tyre.

Por, nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, megjithatë, thonë se nuk do të lejojnë asnjë pengesë që ta dërgojnë këtë iniciativë deri në fund.

Të hënën, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një takim me Shoqatat e të pagjeturve, organizatat e dala nga lufta dhe institucionet e drejtësisë, zyrtarizoi iniciativën për formimin e një Tribunali Ndërkombëtar për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Një Tribunal, i cili kishte hetuar krimet e luftës në territoret e ish-Jugosllavisë, ai i Hagës, ishte formuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1993.