Arbëri

SHMK kërkon që me regjistrim të popullsisë të përfshihen edhe malazezët e zhvendosur nga Kosova

Komuniteti Malazez në Kosovë për herë të parë do të jetë i përfshirë në regjistrimin e popullsisë, pasurisë dhe banesave, që do të mbahet në vitin 2021, ka njoftuar Agjencia e Statistikave dhe Zyra e Kryeministrit. Shoqata e Malazezëve të Kosovës, si iniciatori kryesor i kërkesës që malazezët të jenë të përfshirë në këtë regjistrim si të gjitha komunitetet tjera, do të marrë pjesë në debatin dhe punimin e draft-dokumentit, me theks të veçantë në definimin e problemit, shkakun, pasojat dhe ndryshimet.

Të dhënat nga ky regjistrim do të jenë të rëndësisë së veçantë për mbijetesën e komunitetit malazez në Kosovë, për të drejtën tonë kushtetuese dhe pozicionimin institucional, sikur edhe për kthimin e të zhvendosurve dhe pronës së uzurpuar. Ky do të jetë instrument i rëndësishëm për zhvillimin dhe rishikimin e politikave socio-ekonomike, politikave të krijimit të vendeve të punës, zhvillimin e infrastrukturës, investimet dhe shërbimet tjera, sikur për komunitetin tonë, po ashtu edhe për vendin ku jetojmë dhe punojmë.

Meqë në regjistrimin e kaluar të popullsisë, me Komunitetin Malazez nuk kanë qenë të regjistruar personat e zhvendosur, apelojmë tek institucionet e Kosovës dhe Malit të Zi që me forca të përbashkëta ta gjejnë mekanizmin që të regjistrohen edhe personat e zhvendosur në Mal të Zi, që janë qytetarë kosovarë, në mënyrë që të përmirësohet padrejtësia e bërë më parë, thuhet në komunikatën e Shoqatës së Malazezëve të Kosovës.