Arbëri

Opozita “spektatore” në dialogun Kosovë–Serbi

Përfaqësimi i Kosovës pa opozitën në fazën finale të dialogut me Serbinë, po demonstron për herë të parë një shembull që nuk ishte praktikuar në proceset e mëhershme të negociatave.

Që nga konferenca e Rambujesë (Rambouillet) më 1999, Kosova zakonisht është përfaqësuar në negociata nga spektri i gjerë politik, çka ishte përcjellë si praktikë edhe në proceset e mëvonshme të bisedimeve për statusin e Kosovës në procesin negociator të Vjenës, si rezultat i të cilit u shpall edhe pavarësia e koordinuar e Kosovës me vendet më të fuqishme perëndimore.

Ndërkaq, në procesin aktual të bisedimeve, sado që po cilësohen si vendimtare për arritjen e një marrëveshje historike në mes Kosovës dhe Serbisë, dy partitë më të mëdha opozitare janë jashtë dialogut.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat së bashku kanë 47 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës,nuk kanë pranuar të përfshihen në dialogun aktual, pasi që e kontestojnë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, e cila sipas opozitës, e ka humbur shumicën në Kuvend.

Duke qenë jashtë procesit, LDK dhe Vetëvendosje kryesisht vetëm kanë komentuar, por nuk kanë qenë pjesë e zhvillimeve të fundit në kuadër të negociatave.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdullah Hoti, ndonëse pajtohet që spektri politik në Kosovë duhet të jetë unik në fazën finale të dialogut, kërkon që paraprakisht vendi të shkojë në zgjedhje, si parakusht për krijimin e këtij uniteti.

“Duke qenë se jemi në fazën finale të dialogut, unë besoj që Kosova duhet të jetë e përgatitur, duhet të jetë e unifikuar dhe duhet të ketë mbi të gjitha përfaqësim të fuqishëm politik që ka legjitimitet të plotë. Këto institucione dhe kjo qeveri, nuk kanë legjitimitet për gjëra më të thjeshta e lere më për procese që kërkojnë pajtueshmëri të gjerë politike dhe shoqërore për t’i çuar përpara. Përveç dallimeve pozitë – opozitë, ne gjatë kësaj periudhe kemi parë dallime edhe në mes partnerëve të koalicionit, në veçanti në mes të bartësve të institucioneve”, ka thënë Hoti.

Kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Isa Mustafa e Albin Kurti, pas disa takimeve të zhvilluara patën dalë edhe me një deklaratë të përbashkët në lidhje me dialogun me Serbinë, ku të dy liderët opozitar ishin dakorduar për pikat kryesore.

LAJMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË RADION EVROPA E LIRË