Arbëri

Kosnett kundërshton mundësinë e emërimit të Sylejman Selimit si ambasador

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një postim në Twitter ka reaguar në lidhje mundësinë e emërimit të Sylejman Selimit, ambasador në Shqipëri.

Ai ka pyetur se cili është mesazhi që e jep Kosova, nëse emëron ambasador një të dënuar për krime lufte.

“Çfarë mesazhi dërgon Kosova në botë kur propozon një të dënuar për krime lufte si Ambasador? A tregon kjo respekt për rendin dhe ligjin? Ne kundërshtojmë fuqishëm një vendim të tillë. Presim e shohim”, ka shkruar ambasadori.

Ambasadori amerikan po ashtu e ka quajtur diskurajues hedhjen poshtë të aktakuzës për hedhjen e gazit lotsjellës para dy vjetëve në Kuvend, nga opozita e atëhershme e përbërë nga Vetëvendosje, AAK e Nisma.

“Dekurajuese të shohësh që një akuzë dy vjeçare për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend është hedhur poshtë nga prokurorët, pavarësisht pranimit të fajësisë dhe dëshmive të gatshme. Praktikat e gjykimit të drejtë nga prokurorët kërkojnë profesionalizëm dhe përgatitje”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Ndërkaq, Kosnettin e ka gëzuar vetëm ngritja në detyrë e dy grave oficere në Policinë e Kosovës si kolonele.