Arbëri

VV: Korrupsioni në prokurim e tenderë, burim pasurimi për qeveritarët

Korrupsioni në vend është bërë barrierë për proceset integruese të vendit, liberalizimin e vizave, rritjen ekonomike, zvogëlimin e pabarazisë dhe forcimin e kapaciteteve të administratës publike, është thënë në një konferencë të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ata kanë thënë se krijimi i koalicionit PAN me bashkëngjitjen e AKR-së kanë qenë shenjë ogurzezë se apetitet për korrupsion do të shtohen.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se zyrtarët po pasurohen përmes metodave korruptive.

“Tani kemi pasurim të shpejtë përmes metodave korruptive si stërngarkimi i administratës publike me punësime familjare, falje e borxheve, rritje arbitrare e pagave, ndryshime të ligjeve për të privilegjuar klientelën politike dhe shumë e shumë të tjera”, denoncoi nënkryetari Bislimi.

Sipas tij, kjo qeveri tenton korrupsionin ta trajtojë si kulturë dhe rezistencën qytetare ndaj tij si të pashpresë, duke theksuar se Lëvizja e ka për mision të bindë se, “luftimi i korrupsionit është i mundur dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Më tutje, eksperti Jeton Zulfaj ka treguar me statistika gjendjen e rëndë të krijuar nga korrupsioni në prokurim publik. Sipas tij, kjo është mundësuar për shkak të numrit të madh të autoriteteve kontraktuese, planifikimit të dobët të nevojave buxhetore, menaxhimit të dobët të kontratave dhe mungesës së transparencës.

Ai thotë se në vitin e kaluar më shumë se 1/4 e buxhetit ka kaluar përmes prokurimit publik me mbi 35% rritje të volumit dhe vlerës së kontratave krahasuar me vitin 2017.

Rritjen më të madhe e ka Ministria e Infrastrukturës me 1/5 e të gjithë vlerës së prokurimit, një rritje kjo prej gati 500%, kurse komuna e Deçanit ka shtuar për 9 fish vlerën e prokurimeve.

“Numri më i madh i ankesave dorëzuar për parregullsi në procedura prokurimi është pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës, 70 sosh. Kjo ministri prin me numrin e kontratave të lidhura fshehurazi, që ndryshe njihet si procedure e negociuar, pa publikim të kontratës. Ka dhjetëra aneks-kontrata për punë të papërfunduara në kohë apo për shpenzime shtesë që shkojnë deri në 100 milion euro dhe ka kompani të cilat janë të lidhura me pushtetin të cilat po bën monopole në fushën ku operojnë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar, gjatë vitit 2018 është dyfishuar numri i kontratave me vlerë minimale në mbi 4 mijë, për më shumë se 4 milion euro për shërbime dhe mallra të cilat duhet të jenë subjekt i hetimit të prokurorisë, por edhe i monitorimit nga KRPP dhe Agjencia Antikorrupsion, sepse në këtë kategori janë blerë ora dore, kostume dhe veshmbathje pa arsyetim dhe pa adresë me taksat e qytetarëve.

Afër 100% e tenderëve kanë kaluar përmes çmimit më të ulët, kriter ky i kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian sepse lë hapësirë për korrupsion para dhënies së tenderit dhe pas tij për shkak të ritenderimeve nga cilësia e dobët e punimeve fillestare.

Zulfaj ka thënë se duhet një reformë e thellë e cila prek edhe Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. Kemi tepër pak njohuri se kush qëndron prapa bizneseve që fitojnë tenderët. ARBK duhet të bëjë transparente përfituesit përfundimtar të kompanive, menaxhmentin e kompanive dhe aktet ligjore me ndryshimet e tyre. Kjo është kërkesë edhe e Komisionit Evropian. Kompanitë që duan të bëjnë biznes me shtetin duhet të i nënshtrohen një standardi më të lartë të transparencës.

KRPP duhet të përjashtojë nga prokurimi kompanitë që operojnë në zonat pa taksa (tax heavens) dhe të bëjë transparente të gjitha kontratat, urdhërpagesat dhe faturat që qarkullojnë përmes prokurimit publik. Kjo mund të arrihet shumë lehtë nëse ministria e financave e hapë thesarin për publikun. Thesari mbushet me djersën e popullit, por populli nuk e din se si shpenzohet paratë e tij. Thesari mund dhe duhet të lidhet direkt me modulin për menaxhim të kontratës në KRPP duke treguar se ku shkon secili cent i qytetarëve.

Agjencia kundër korrupsionit duhet të zgjerojë listën e zyrtarëve publik të cilët deklarojnë pasurinë duke përfshirë të gjithë zyrtarët e prokurimit. Ka vite të tëra që Komisioni Evropian kërkon hetimin e pasurisë së pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë shtetëror”.

“Kjo qeveri nuk është e interesuar ta zbardhë këtë gjendje sepse prek direkt interesat e bizneseve me të cilat është e lidhur. Ndërsa Lëvizja as nuk është e kapur me dhe nga bizneset, as nuk i mungon ekspertiza dhe as nuk i mungon guximi për ta luftuar korrupsionin brenda dhe rreth institucioneve shtetërore”, ka përfunduar ai.