Arbëri

Drejtori i burgjeve të Kosovës tregon pse ishte arrestuar në Serbi

Nehat Thaçi, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, në Puls të KTV-së ka treguar për herë të parë për arsyet e arrestimit në Serbi në fund të vitit 2016.

Thaçi, atë kohë si drejtor i Policisë në Mitrovicë, ka thënë se ishte arrestuar për shkak të një akuze për krime lufte.

“Kam premtuar se do të përgjigjem. Kjo temë është konsumuar me deklaratën që kam dhënë në Merdar. Aty jam deklaruar rreth gjendjes dhe obligimeve e për të ardhmen për detyrat që i kam. S’kam qenë kurrë më herët në Serbi. Akuza ka qenë për krime lufte”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe emisionin e javës së shkuar kur ish-kandidati për drejtor të burgjeve kishte hedhur akuza ndaj Thaçit e menaxhmentit në Shërbimin Korrektues. Thaçi ka folur edhe për kthimin në pikën zero të procesit të përzgjedhjes së drejtorit të burgjeve.

“Problemi i përzgjedhjes s’ka të bëjë me mua. Sikur të bënte me mua, ditën e parë do të jepja dorëheqje. Problemi është te komisioni përzgjedhës, që nuk e kanë ftuar një person në intervistë. Këshilli i pavarur ka rekomanduar të kthehet në pikën zero. Unë kam një vendim nga qeveria në të cilin jam emëruar. Vetëm kryeministri mund ta shfuqizojë atë. Ky problem s’ka të bëjë asgjë me mua”, ka thënë Thaçi. “E kam përcjellë emisionin. Është jashtë etikës që të komentoj publikisht problemet e brendshme të SHKK-së. Dua të kujtoj se SHKK është aset shtetëror që bën pjesë në grupin e institucioneve që garantojnë sigurinë kombëtare. S’jemi parti e OJQ që të debatojmë në publik. Kemi inspektoratin si institucion që është legjitim për të hetuar apo rekomanduar gjithçka lidhur me çalimet. Kemi komisione të ndryshme për t’i drejtuar këto problematika”.