Opozita kërkon që të “varroset” ideja e Thaçit për kufijtë

Arbnora Luta Arbnora Luta 29 April 2019 19:12

Kosova po përfaqësohet në Samitin e Berlinit nga dy krerët e shtetit, të cilët nuk kanë një qëndrim unifikues rreth procesit të dialogut me Serbinë, temë kjo për të cilën pritet të diskutohet në takimin ndërmjet liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse për opozitën, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë legjitimitet të flasin në emër të qytetarëve, nga ky Samit pret që të varroset ideja për korrigjim kufijsh, raporton KTV.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës pret që Samiti i Berlinit të përcaktojë procesin e dialogut me Serbinë.

“Samiti i Berlinit pritet të bëjë një ‘reset’ të këtij procesi, në mënyrë që t’u jepet fund agjendave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Pritet që Gjermania, në veçanti, të insistojë që dialogu të kthehet te qëllimi i vet fillestar, që është normalizimi i raporteve mes dy shteteve”, ka thënë Vjosa Osmani – Deputete e LDK-së.

Nëse liderët kosovarë nuk i afrojnë qëndrimet e tyre, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, kjo do t’i kushtojë shtetit kosovar në pozicionin negociues me Serbinë dhe në mënyrën se si Bashkimi Evropian e percepton Kosovën.

Derisa takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor pritet të zhbllokojë dialogun mes Kosovës e Serbisë, presidenti Thaçi, në paraqitjen e tij para medieve, të hënën në Berlin, e ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e Kosovës me Luginën e Preshevës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme