Arbëri

O’Connell: Politikanët i fusin në punë me lista njerëzit e tyre, kjo është recetë e dështimit shtetëror

Recetë të dështimit shtetëror, e ka quajtur ambasadori britanik Ruari O’Connell, mënyrën se si politikanët punësojnë familjet e tyre.

Ai, këto deklarime i ka bërë gjatë nënshkrimit të një memorandum-mirëkuptimi mes Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Ambasadës britanike, qëllimi i së cilit është ngritja e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike të OSHP-së.

“Rekrutimi mbetet problematik në Kosovë, ne kemi pasur disa suksese me projektet, por disa nuk mund të them më shumë sesa gishtërinjtë e duarve, por çdo ditë kur shpallen vende pune në një institucion ose në një tjetër, në spital, fakultet, drejtori do ta marrë telefonatën prej dikujt, një politikani, nga një i ashtuquajtur komandant me listën e emrave”, ka thënë O’Connell.

O’Connell, më tutje, ka thënë se prokurimi publik gjithmonë ka qenë problematik në Kosovë.

“Deri në 60 përqind e tatimeve prej tatimpaguesve të Kosovës shpenzohen sipas prokurimit publik, do të thotë që nëse ky sistem nuk funksionon nuk ka shansë që këto tatime të përdoren siç duhet, nuk ka shansë që qytetarët e Kosovës të kenë qasje në shërbimet që i meritojnë dhe nuk ka shansë që do të ketë demokraci të shëndoshë në Kosovë, sepse krejt kjo masë e tatimeve do të keqpërdoret për arsye politike”, ka thënë ai.

Blerim Dina, kryetar i OSHP-së, ka thënë se me mbështetjen e ofruar nga Mbretëria e Bashkuar, por edhe institucione të tjera, do të arrijnë që të tejkalojnë sfidat me qëllim të përmirësimit të punës së OSHP-së.