Rama i prerë, zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen më 30 qershor

Rama i prerë, zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen më 30 qershor

25 April 2019 15:17

Nga foltorja e Kuvendit edhe një herë kryeministri shqiptar Edi Rama ka folur për vendimin e opozitës për të mos u regjistruar në zgjedhjet e 30 Qershorit.

“Me përfundimin e afatit për regjistrimin e partive, opozita ka vendosur që të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve duke zgjedhur dy forma ekstreme në kundërshtim të plotë me vijën e logjikës demokratike dhe e para e panjohur, e dyta jo e panjohur, por e provuar si një rrugë e vetëshkatërrimit. Aty ku opozitat kanë zgjedhur që të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë mbrapsht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish të jashtëzakonshme për rindërtim”, ka thënë Rama.

Më tej kreu i qeverisë është shprehur se pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve se do pengojnë procesin, zgjedhjet do bëhen, transmeton AbcNews.

“Në vend që të luftojë me program dhe ide ka zgjedhur që të luftojë me kërcënime dhe kapsolla. Në vend që t’i përfaqësojë zgjedhësit e vet në këtë sallë dhe zgjedhje ka vendosur që t’i nxjerrë edhe ata nga rruga e betejës demokratike. Kjo është shumë e rëndë. Ne nuk kemi zgjedhje tjetër vetëm të vijojmë me rrugën tonë, pa u marrë me ata, pa devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rreziqeve të një procesi kur parti dhe disa kryetarë pa parti përbetohen se do ta dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur. Kjo nuk është zgjedhja jonë apo faji ynë, mund të bënim më shumë? Mbase, por nuk e di se çfarë?”, tha Rama.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme