Arbëri

EULEX-i kërkon që pikëkalimi në Merdare të mos jetë i mbingarkuar

Zëvendësshefi i Misionit, Bernd Thran dhe këshilltari për MIK i EULEX-it, Alan Wilson u takuan sot me autoritetet e Prishtinës dhe të Beogradit në Pikën e Përbashkët të Kalimit në Merdare, për të diskutuar për trafikun e ngarkuar kohëve të fundit, si dhe për çështjet infrastrukturore dhe administrative që lidhen me funksionimin e PPK-së.

Të dyja palët pritën Thran në zyrat e tyre ekzistuese, ku zhvilluan diskutime të hapura dhe konstruktive, dhe ku EULEX-i ra dakord të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë në muajt e ardhshëm për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura në PPK.

“Pikat e përbashkëta të kalimit që janë plotësisht funksionale e që lejojnë qarkullimin efikas të trafikut do të jenë në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve", tha Thran, transmeton kp.

Thran ka qenë i përfshirë në ngritjen e PPK-së të miratuar nga Beogradi dhe Prishtina dhe vazhdon të jetë personalisht i interesuar për procesin në vazhdim dhe suksesin e kësaj iniciative të rëndësishme.