Arbëri

LVV-ja kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe, këta të fundit paralajmërojnë sërish dorëheqje nëse fitojnë pushtetin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dështuar të certifikojë kandidatët për kryetarë të katër komunave në veri, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 19 majit.

Anëtarët e komisionit kanë miratuar rekomandimet për kandidatët e PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por jo edhe ata të Listës Serbe.

Megjithëse Zyra për regjistrim të partive politike rekomandoi emrat e propozuar nga Lista Serbe dhe i vlerësoi ata të ligjshëm, votimi i tyre nuk u bë shkaku i kundërshtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këta kandidatë e humbin të drejtën kushtetuese, për bindjen time, për të qenë kandidatë. Lista Serbe është dashur të na ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga këto qëndrime dhe veprime dhe të ofrojë kandidatura të vlefshme juridikisht për këto zgjedhje, dhe natyrisht, të distancohet, sepse ky është aspekti më i ndjeshëm i këtij procesi nga ndikimi i drejtpërdrejtë që po i bën Aleksandar Vuçiqi, dhe përdorimi që po i bën këtij subjekti politik kundër integritetit dhe sovranitetit të Republikës”, ka thënë Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ nga LVV.

LDK-ja vlerësoi se meqë zyra ka nxjerrë rekomandimet dhe nuk ka ndonjë pengesë ligjore për kandidimin e tyre, procesi duhet të vazhdojë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhej që në respektim të plotë të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe Ligjit për zgjedhjet lokale, të mos e problematizojë këtë çështje përtej autorizimeve të veta. Unë prapë e përsëris, meqë ligjërisht nuk kemi ndonjë pengesë, e cila do ta pamundësonte certifikimin e kandidatëve të dorëhequr rishtazi ne do të duhej ta kemi të qartë, sepse ka edhe instanca të tjera, të cilat pastaj do ta detyronin Komisionin e Zgjedhjeve që të veprojë sipas ligjit dhe rregullave të veta”, ka thënë Florian Dushi, anëtar i LDK-së në KQZ .

Pas një orë diskutimi, Komisioni doli në pauzë të paralajmëruar si 10 minutëshe, por që zgjati më shumë se 1 orë dhe anëtarët nuk u kthyen për ta vazhduar mbledhjen.

Pas kësaj, Adnan Rrustemi i Vetëvendosjes, tha se nuk e mbështet certifikimin derisa Lista Serbe nuk distancohet nga paralajmërimet për dorëheqje të sërishme nëse e fitojnë pushtetin.

Rrustemi shtoi se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, do të ankohet në Gjykatën Supreme dhe atë Kushtetuese.

Në orët e pasdites, KQZ-ja ka njoftuar se mbledhja e së martës do ta vazhdojë të mërkurën nga ora 09:00.