Arbëri

Kosova e Franca pajtohen për rritje të bashkëpunimit në luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar e korrupsionit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur në takim Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, i cili ka vlerësuar punën dhe rezultatet e Prokurorisë së Shtetit në luftimin e veprave të ndryshme penale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Kryeprokurori e ka njoftuar ambasadorin Chabert me punën, të arriturat dhe sfidat e Prokurorisë së Shtetit, si dhe përkushtimin e këtij institucioni në luftimin e veprave penale që ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë së fituar me vepra penale si dhe luftimin e të gjitha formave të krimit.

“Kryeprokurori i Shtetit dhe Ambasadori i Francës në Kosovë janë pajtuar për rritjen e bashkëpunimit ndër-institucional në mes të institucioneve të drejtësisë kosovare dhe franceze, me theks të veçantë, në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit edhe emigrimit ilegal”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, kreu i institucionit të Prokurorisë së Shtetit ka thënë se sistemi prokurorial është duke bashkëpunuar ngushtë edhe me projektin britanik në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj dhe zgjedhjen e kryeprokurorëve të disa prokurorive, me ç’rast ambasadori Chabert ka inkurajuar Kryeprokurorin që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër, Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka vlerësuar punën dhe rezultatet e Prokurorisë së Shtetit, si dhe ka ofruar mbështetjen e shtetit që përfaqëson për ta ndihmuar edhe me tutje sistemin prokurorial të Kosovës në ngritjen efikasitetit në forcimin e sundimit të ligjit.